Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë vendin nga 66 organizata ndërkombëtare, përfshirë shumë që punojnë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe disa organe të Kombeve të Bashkuara, si Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC).
Shtëpia e Bardhë tha se vendimi u mor sepse këto organizata “nuk i shërbejnë më interesave amerikane” dhe promovojnë “axhenda joefektive ose armiqësore”.
Ndër to është organizata RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), ku sekretare e përgjithshme ka qenë Majlinda Bregu për gjashtë vite.

Trump ka argumentuar se shumë prej tyre mbështesin “politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike që bien ndesh me sovranitetin dhe fuqinë ekonomike të SHBA-së”.
Vendimi vjen pas një shqyrtimi të përdorimit të fondeve nga taksapaguesit amerikanë dhe pas tërheqjes së mëparshme të SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe refuzimit të pjesëmarrjes në samitin COP30 në Brazil.
Organizatat e tjera që preken përfshijnë ato që punojnë për paqen, demokracinë, shëndetin e nënës dhe fëmijës, dhunën seksuale në konflikt dhe planifikimin familjar.
Hapi i Trump mund të përballet me sfida ligjore, pasi Kushtetuta e SHBA-së lejon bashkimin me traktate vetëm me miratimin e Senatit, por nuk e sqaron procesin e tërheqjes.
Grupet e ekspertëve dhe organizatat jofitimprurëse kanë reaguar me shqetësim. Drejtoresha e politikave Rachel Cleetus e përshkroi vendimin si një shenjë se administrata po sakrifikon mirëqenien globale dhe po minon bashkëpunimin ndërkombëtar.
Top Channel
Burimi: top channel


