trump anulon sulmet ndaj iranit pas kercenimit per goditje shume te forta 6a2b1212ed174

Trump anulon sulmet ndaj Iranit pas kërcënimit për goditje “shumë të forta”

June 11, 2026
min lexim

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit për mbrëmjen e së enjtes, vetëm disa orë pasi kishte paralajmëruar se SHBA-ja do ta godiste Teheranin “shumë fort”.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se vendimi për anulimin e sulmeve erdhi pasi diskutimet me Republikën Islamike të Iranit, sipas tij, janë ngritur në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane.

“Bazuar në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë sjellë në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit këtë mbrëmje”, ka shkruar Trump.

Ai pretendoi se “pikat përfundimtare” janë miratuar “në koncept dhe në detaje” nga palët e përfshira, duke përmendur SHBA-në, Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë, Egjiptin dhe vende të tjera.

Megjithatë, Trump tha se bllokada detare ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në finalizimin e marrëveshjes.

“Bllokada detare do të mbetet plotësisht në fuqi derisa ky transaksion të finalizohet. Koha dhe vendi i nënshkrimit do të njoftohen së shpejti”, ka shkruar ai.

Më herët gjatë ditës, Trump kishte kërcënuar Iranin me goditje të fuqishme, duke thënë se SHBA-ja do ta godiste “shumë fort” Teheranin. Ai po ashtu kishte përmendur mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit Kharg, një terminal i rëndësishëm i naftës në Gjirin Persik.

Por më vonë, presidenti amerikan la të kuptohej se nuk ishte i sigurt nëse SHBA-ja kishte vullnetin për një operacion të tillë ushtarak.

Sipas BBC-së, mesazhet e Trumpit kanë ngritur pikëpyetje të reja, pasi presidenti amerikan nuk dha detaje të qarta për përmbajtjen e marrëveshjes së mundshme dhe nuk është e qartë nëse Irani e ka konfirmuar një dakordim të tillë.

Edhe agjencia Reuters raportoi se Trump ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke iu referuar deklaratës së tij në Truth Social, ndërsa theksoi se bllokada detare ndaj Iranit mbetet në fuqi deri në finalizimin e marrëveshjes.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa rajoni vazhdon të jetë në tension të lartë për shkak të përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe rrezikut për përshkallëzim më të gjerë në Gjirin Persik.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

mbyllet tubimi para kryeministrise protestuesit nisin marshimin rrugeve te tiranes 6a2b11b2c08e2
Lajmi i mëparshëm

Mbyllet tubimi para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin rrugëve të Tiranës

shakira dhe burna boy e nisin festen ne meksike me dai dai 6a2b12de834aa
Lajmi i radhës

Shakira dhe Burna Boy e nisin festën në Meksikë me “Dai Dai”

Të fundit nga

ShkoLartë