ABC ka mësuar detaje të reja lidhur me atentatin me eksploziv më 11 qershor, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari, Aleksandër Sadikaj.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra raporton se, policia ka ushtruar kontroll në banesën e viktimës, pas atentatit që i mori jetën në dalje të Tiranës. Në banesën e Sadikajt, në Sauk, mësohet se është gjetur një jelek anti-plumb, municione dhe një kavanoz me kanabis.Duke qenë se grupi hetimor gjeti edhe një pistoletë, të cilën 27-vjeçari e mbante me vetë, janë ngritur dyshime të forta se i riu i druhej një atentati ndaj tij. Për këtë po verifikohet nëse viktima është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve të fundit.
Për policinë është ende e paqartë vendi ku është montuar lënda plasëse, ndaj po verifikohen kamerat gjatë intineratit që ka ndjekur viktima, nga rruga “Irfan Tomini” një natë para ngjarjes, e deri tek banesa e tij në Sauk dhe autostrada Tiranë-Elbasan, para momentit të shpërthimit.
Mësohet se grupi hetimor është bindur se objektivi ka qenë pikërisht Aleksandër Sadikaj, edhe pse makina që ai përdorte figuronte në emër të një tjetër personi. Viktima mësohet se kishte blerë makinë rreth 5 muaj më parë, por nuk e kishte bërë ndryshimin e pronësisë së automjetit.