Transformimi i shpejtë teknologjik dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në institucionet publike ishin në fokus të ngjarjes së organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), me temën “Udhëheqja e institucioneve publike në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike: një perspektivë amerikane”. Në këtë aktivitet u theksua nevoja që institucionet publike, veçanërisht ato arsimore, të udhëheqin me vizion, etikë dhe përgjegjësi në kohën e transformimeve digjitale.
Koordinatorja e IPK-së, Amantina Kelmendi, tha se tema nuk është zgjedhur rastësisht, pasi sipas saj, IPK-ja ka mandat për mbështetje profesionale të sistemit arsimor dhe lidhjen e hulumtimit me praktikën dhe zhvillimin institucional.
“Kjo temë nuk është e zgjedhur rastësisht, si institucion me mandat me mbështetje profesionale të sistemit arsimor, që bëjmë lidhjen e hulumtimit me praktikën dhe zhvillimin institucional, instituti e sheh reflektimin mbi lidershipin institucional dhe përdorimin kuptimplotë të teknologjisë. Në një kohë ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe marrim vendime, ne si të udhëheqim me përgjithësi dhe etikë”, tha Kelmendi.
Në kuadër të programit Fulbright Specialist, profesoresha dhe drejtoresha e programeve online në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, Gina Whalen, foli për përvojën e saj në arsimin e lartë amerikan dhe ndikimin e teknologjisë në institucionet arsimore.
“Nga puna ime në arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë rolin tim si profesoreshë dhe drejtoreshë e programeve online në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, kam parë se sa shpejt teknologjia mund të ndryshojë punën në arsim. Platformat digjitale, mjetet e mësimit online, sistemet e të dhënave dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën se si mësojnë pedagogët, si mësojnë studentët dhe si institucionet marrin vendime“, tha ajo.
Whalen theksoi se ndryshimi teknologjik nuk është vetëm çështje teknike, por edhe njerëzore dhe institucionale, duke kërkuar përshtatje të vazhdueshme nga institucionet publike.
“Një nga mësimet më të qarta nga ajo punë është ndryshimi teknologjik është gjithashtu ndryshim njerëzor dhe institucional. Ai ndikon në rutinat e njerëzve, pritjet e tyre, besimin dhe ndjenjën e identitetit profesional. Ai u kërkon institucioneve të përshtaten duke mbetur të rrënjosura në misionin e tyre. Institucionet publike kanë një përgjegjësi të veçantë në kohë ndryshimesh të shpejta teknologjike.Duhet të modernizohen duke mbetur të drejta, të qasshme, etike dhe të përgjegjshme”, tha Whalen.
Kjo ngjarje është organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës në kuadër të Programit Fulbright Specialist dhe iniciativës Freedom 250, e cila shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pikërisht në këtë frymë, IPK ka zgjedhur të trajtojë një temë që lidhet drejtpërdrejt me misionin e tij institucional, mënyrën se si institucionet publike, veçanërisht ato arsimore, duhet të udhëheqin me vizion në kohën e transformimeve të shpejta teknologjike.
Burimi: botasot.info


