Operatorët e mëdhenj të komunikimeve elektronike raportuan rezultate financiare të dobëta për vitin 2021.
Mbështetur në të dhënat paraprake nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), operatori ONE Telecommunications e mbylli vitin me një fitim ndjeshëm më të ulët krahasuar me vitin 2020, ndërsa Vodafone dhe ALBtelecom regjistruan një vit më humbje.
ONE Telecommunications arriti një fitim prej 191 milionë Lekësh, në rënie të ndjeshme nga rezultati prej 799 milionë Lekësh që pati arritur në vitin 2020. Megjithëse deklaroi një rritje të xhiros me afërsisht 8% krahasuar me një vit më parë, për një shumë totale prej 8.7 miliardë lekësh, fitimet janë tkurrur ndjeshëm.
Operatori më i madh i komunikimeve elektronike për nga xhiroja e realizuar, Vodafone Albania, për vitin 2021 deklaroi në AKEP një humbje prej afërsisht një miliardë Lekësh, ndërkohë që për vitin 2020 kishte raportuar zyrtarisht një fitim neto në vlerën e rreth 99 milionë lekëve. Vodafone për vitin 2021 deklaroi një AKEP një xhiro totale prej rreth 15.3 miliardë lekësh, 6.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e xhiros erdhi kryesisht nga aktiviteti i shërbimeve fikse i trashëguar nga Abcom, që Vodafone e pati blerë në vitin 2020, ndërsa në segmentin e shërbimeve celulare rritja ishte e papërfillshme, me vetëm 0.3%.
ALBtelecom edhe për vitin 2021 raportoi një rezultat me humbje, në vlerën e 540 milionë Lekëve. Humbjet janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2020, por megjithatë për ALBtelecom ky ishte një vit tjetër në serinë e gjatë të rezultateve negative të shënuara qysh prej privatizimi nga konsorciumi turk CETEL.
Albtelecom raporti një xhiro prej afërsisht 6.8 miliardë lekësh, në rënie të mëtejshme me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Rënia e xhiros erdhi kryesisht nga segmenti i shërbimeve fikse të komunikimit.
Të dhënat e mësipërme janë paraprake dhe rezultatet zyrtare do të jenë të disponueshme vetëm me publikimin e pasqyrave të audituara financiare. Megjithatë, të dhënat paraprake konfirmojnë një tendencë disavjeçare të uljes së përfitueshmërisë në tregun e telekomuniakcioneve dhe veçanërisht të shërbimeve celulare.
Rënia e fitimeve i detyrohet kryesisht konkurrencës së lartë mes operatorëve dhe nevojave të larta për investime në funksion të përmirësimit të cilësisë së rrjetit, duke pasur parasysh se tashmë interneti me brez të gjerë ka një rol dominues në përdorimin e shërbimeve celulare.
Nga ana tjetër, në dy vitet e fundit, konkurrenca në çmime është ashpërsuar, edhe me fushata marketingu që konsistojnë në oferta direkte për konsumatorët, me qëllim tërheqjen e përdoruesve të operatorëve të tjerë. Sipas AKEP, aplikimi i fushatave promocionale agresive, kryesisht për portimin e numrit nga njëri operator tek tjetri, duke ofruar paketa me përmbajtje dhe çmim preferencial, mund të sjellë pasoja të rënda për konkurrencën në afatin e gjatë.
Kjo praktikë vë në vështirësi sipërmarrësit që konkurrojnë treg, kryesisht sipërmarrësit me pjesën më të vogël, duke ulur kapacitet financiare për rritjen e investimeve në rrjet.
Madje, AKEP ka paralajmëruar se mund të ndërhyjë në çmimet me pakicë, nëse operatorët vazhdojnë të ndjekin një sjellje të tillë.
Sipas AKEP, devijimi nga detyrimet për praktika të konkurrencës së ndershme, objektive dhe transparente mund të sjellë për pasojë mëdyshje të përligjura në kapacitetet vetërregulluese të tregut të pakicës dhe marrje në konsideratë të ndërhyrjeve të njëanshme rregullatore.
Vitin e kaluar, edhe Autoriteti i Konkurrencës ngriti dyshime se në tregun e telefonisë celulare po përdoren praktika të konkurrencës së pandershme, në formën e çmimeve grabitqare.
Duke konstatuar ekzistencën e fuqisë dominuese të operatorit më të madh në treg, Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur detyrimin të mos hedhë në treg oferta promocionale, të cilat sjellin vendosjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit.
/Monitor