Apeli i GJKKO ka vendosur të rrëzojë ankimimin e policëve të Morinës, të cilët u arrestuan për korrupsion.
Policët e pikës kufitare të Morinës u arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre janë lënë në burg, me vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Më 10 prill, GJKKO konfirmoi masën arrest me burg për 16 policë, arrest shtëpie për 12 të tjerë, pezullim detyre për 4 efektivë, dhe masën arrest shtëpie për dy qytetarë.
Efektivët janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së posaçme SPAK për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
SPAK njofton se ndaj tyre kishte nisur një hetim që më nëntor të vitit 2020 për Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Gjatë hetimit u faktuan 312 raste të korrupsionit, kontrabandës me mallrat e akcizës, dhe lejim për kalim të paligjshëm të kufijve.
Policët janë mbajtur në përgjim për një periudhë të gjatë kohore gjatë së cilës janë konstatuar rastet të shumta korruptive, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.
Por edhe kanë kryer regjistrime fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.
Nga 34 masat e ekzekutuara 32 i përkasin policëve të Policisë Kufitare të Kukësit duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie. Ai akuzohet për “Shpërdorimi detyre”,“Korrupsion pasiv në bashkëpunim, dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 16.05.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi lidhur me çështjen nr. 13, datë 06.05.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit të caktimit të masës së sigurimit personal”, në ngarkim të personave nën hetim F.K., L.S., A.H., E.A., H.Sh., A.K., A.S., D.B., E.T., E.U., F.I., F.B., A.Rr., G.D. (Gj.), H.H., K.D., M.Sh. (I.), M.C., R.L., U.L. (E.), V.N., V.O., Xh.M., Y.H. (I.), B.D., A.T., A.G., R.D., Sh.C., A.J., S.O., K.S., Xh.E., S.I., ku trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 29 Akti, datë 03.04.2022 dhe të vendimit nr. 35 Akti, datë 10.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën e ankimuar nga të hetuarit F.K., L.S., E.A., H.Sh., A.K., A.S., D.B., F. I., F.B., A.Rr., G.D., K.D., M.Sh., M.C., R.L., U.L., Xh.M., B.D., A.T., R.D., Sh.C., A.J., S.O., Xh.E. dhe A.G.
Miratimin e vendimit nr. 29 Akti, datë 03.04.2022 dhe të vendimit nr. 37 Akti, datë 10.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën e ankimuar nga e hetuara V.S.
Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari A.H., ndaj vendimit nr. 29 Akti, datë 03.04.2022 dhe ndaj vendimit nr. 35 Akti, datë 10.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari S.I., ndaj vendimit nr. 29 Akti, datë 03.04.2022 dhe ndaj vendimit nr. 35 Akti, datë 10.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari K.S., ndaj vendimit nr. 29 Akti, datë 03.04.2022 dhe ndaj vendimit nr. 37/1 Akti, datë 11.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.