Në pikën kufitare Bllato, në kufirin shqiptaro-maqedonas afër Dibrës, sot është mbajtur takimi i përfaqësuesve të Komisariateve të Policisë nga Peshkopia dhe Kuksi dhe i policisë kufitare të Maqedonisë.
Sipas informacioneve, takimi është në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet policive të dy vendeve për përballimin dhe menaxhimin me sukses të fluksit të madh të turistëve, shtetas maqedonas dhe shqiptarë.
Është vlerësuar se falë “aktiviteteve të koordinuara janë shmangur vonesat duke shtuar numrin e sporteleve hyrëse dhe dalëse”.
“Në takim u diskutua edhe për marrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e prodhimit dhe tregtisë së narkotikëve përtej vijës kufitare, kontrabandimit të mallrave të akcizës dhe mallrave të tjera. U diskutua edhe për situatën në lidhje me frekuencën e kalimit “Bllato” gjatë sezonit turistik, si dhe u shkëmbyen informacione për aktivitete të paligjshme përgjatë kufirit dhe shtim të patrullimeve”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me angazhime të përbashkëta në luftën kundër krimit ndërkufitar.