Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani i ftuar në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma, ka paralajmëruar se zgjidhja e re ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat do t’i japë fund manipulimit me përkatësinë etnike, gjatë punësimit në administratën shtetërore.
Sipas Sulejmanit, ndryshimi kryesor midis mekanizmit aktual i njohur si “balancuesi” dhe zgjidhjes së re është në atë se përfaqësimi i drejtë tani ngritët në ligj.
“Po e ngremë këtë kategori kushtetuese nga një mjet në ligj, që është një hap i madh dhe shumë i rëndësishëm që përfaqësimi i drejtë të marrë vendin e merituar. Kjo duhej të ishte rregulluar që në vitin 2003 si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, por për fat të keq, pas dy dekadash kjo nuk ka ndodhur. Ne e premtuam këtë para zgjedhjeve dhe tani po e realizojmë”, ka thënë Sulejmani.
Një nga kritikat më të mëdha ndaj sistemit të mëparshëm ka qenë siç dihet, abuzimi ku qytetarët deklaroheshin si pjesëtarë të një komuniteti tjetër, vetëm për të fituar një vende pune. Sulejmani thotë se ligji i ri parashikon sanksione të ashpra për dukuri të tilla.
“Kushdo që do tentojë të deklarohet rrejshëm sipas përkatësisë etnike do të sanksionohet. Do të përjashtohen nga konkursi dhe nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë për asnjë pozicion pune në tre muajt e ardhshëm”, shpjegon zëvendësministri Sulejmani.
Burimi: lajmpress.org



