Studentët që po angazhohen për krijimin e një force të re politike shprehen kundër partive ekzistuese në vend, duke deklaruar se synojnë ndryshimin e sistemit politik dhe distancimin nga establishment-i aktual.
I pyetur në emisionin “Black Box” në Ora News, nëse partitë ekzistuese mund të tentojnë t’i rekrutojnë dhe nëse e kanë hasur këtë problem, një prej studentëve u shpreh se e presin një përpjekje të tillë, por nuk kanë ndërmend të afrohen me forcat politike që, sipas tij, kanë ndikuar në situatën aktuale të Shqipërisë.
Ai theksoi se janë kundër establishmentit politik që, sipas tij, ka shkatërruar vendin gjatë 30 e ca viteve të fundit, duke përmendur Partinë Socialiste, Partinë Demokratike dhe Partinë e Lirisë.
“Ne mendojmë që partitë ekzistuese do të afrohen, do të përpiqen të na rekrutojnë, por ne duam një ndryshim sistemi dhe jemi kundër këtij establishment-i që ka shkatërruar Shqipërinë për 30 e ca vitet e fundit. Ne nuk duam të flasim me partitë që kanë pasur një efekt drastik në situatën aktuale të Shqipërisë”, u shpreh studenti.
Ai përmendi konkretisht Partinë Socialiste, Partinë Demokratike dhe Partinë e Lirisë, duke nënvizuar se nisma e tyre synon të jetë e distancuar nga partitë aktuale politike.
Burimi: botasot.info


