Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir ef. Fetai, ka shprehur mirënjohje për angazhimin e subjekteve politike, konkretisht VLEN-it dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e çështjes së akreditimit të Medresesë “Isa Beu” si shkollë e mesme fetare.
Në një prononcim për TV Koha, Fetai e ka cilësuar këtë proces si një nga arritjet më të rëndësishme të këtij viti, duke theksuar se zgjidhja e çështjes ka tejkaluar edhe pritshmëritë e BFI-së.
“Akreditimi i Medresesë është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, jam shumë i lumtur. Është bërë me ligj të posaçëm nga Qeveria e Maqedonisë dhe shpreh mirënjohje të veçantë për mundin që kanë dhënë subjektet tona politike dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Fetai.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se pas më shumë se 12 vitesh pritje, BFI-ja ka siguruar edhe lejen e plotfuqishme për ndërtimin e objektit të ri administrativ pranë Kalasë së Shkupit.
Sipas tij, tashmë kanë filluar përgatitjet për vendosjen e gurthemelit dhe nisjen e punimeve për ndërtimin e objektit i cili pritet të jetë i standardeve bashkëkohore.
Në fund, Fetai ka falënderuar edhe kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, për angazhimin në sigurimin pa vonesa të lejes së ndërtimit të sallës sportive, si dhe për lehtësimet e ofruara ndaj BFI-së gjatë këtij procesi.
Burimi: alfax.mk

