Në Maqedoninë e Veriut është promovuar një subjekt i ri politik shqiptar, “Lëvizja Një”, i udhëhequr nga Besim Hoda. Në fjalimin e tij, Hoda përdori simbolikën e numrit një dhe zerove për të theksuar rëndësinë e bashkimit dhe përfshirjes së shqiptarëve, duke thënë se vetëm së bashku mund të arrijnë më shumë.
“Pas njëshit mund të ketë shumë zero, por vetëm njëshi u jep vlerë zerove, sepse pa njëshin, të gjitha zerot janë zero. Prandaj, edhe ne këtu, pa ju, pa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe pa shqiptarët në përgjithësi, do të ishim një pa asnjë zero prapa. Ndërsa me ju, nga njëshi do të bëhemi dhjetë, njëqind mijë, pse jo shtatëqind mijë, e pse jo edhe shtatë milionë”, deklaroi Hoda, përcjell TV21.
Në platformën e prezantuar gjatë promovimit të subjektit të ri politik shqiptar “Lëvizja Një”, theksohen disa fusha kryesore të veprimit, duke nisur nga zbatimi i plotë dhe i detyrueshëm i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet dhe në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Lëvizja angazhohet për barazi reale të qytetarëve, përfaqësim të drejtë, institucione të pavarura dhe funksionale, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimit të pronës publike.
Në aspektin ekonomik, platforma parasheh zhvillim të barabartë rajonal, decentralizim fiskal, mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe hapje të vendeve të reja të punës. Në arsim, kërkohet modernizim dhe përshtatje me teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, ndërsa parashihet edhe harmonizim i programeve të caktuara mësimore me Shqipërinë dhe Kosovën.
Pjesë e prioriteteve janë edhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje, krijimi i kushteve për të frenuar migrimin, mbrojtja e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore, si dhe përfshirja më e madhe e mërgatës në zhvillimin ekonomik të vendit. Lëvizja deklaron se synon edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe forcimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut./TV21
Burimi:TV21


