Votuesit në Spanjë u bënë ballë të dielën temperaturave të larta të verës për të thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, rezultati i të cilave mund ta bëjë këtë vend, anëtarin më të fundit të Bashkimit Evropian që spostohet drejt së djathtës.
Ministria e Brendshme tha se pjesëmarrja deri pasdite ishte në nivelin 40%, 2.5% më shumë se në zgjedhjet e fundit në nëntor të vitit 2019.
Kryeministri Pedro Sánchez kishte shpallur zgjedhjet e parakohshme pasi Partia e tij e Punëtorëve Socialistë Spanjolle dhe partneri i saj i së majtës ekstreme, Unidas Podemos, pësuan një goditje të fortë në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj.
Zoti Sánchez është kryeministër që nga viti 2018. Qendrat e votimit për 37 milionë votuesit mbyllen në orën 20:00. Rezultatet paraprake pritet të dalin deri në mesnatë.
Shumica e sondazheve ka parashikuar që Partia Popullore e krahut të djathtë, që fitoi në zgjedhjet e majit, do të ketë epërsi ndaj socialistëve, por ka të ngjarë që të ketë nevojë për mbështetjen e partisë të së djathtës së skajshme Vox për të formuar qeverinë.
Një koalicion i tillë, do të shënonte kthimin e një force të ekstremit të djathtë në qeverisje, për herë të parë që kur u vendos demokracia në vend në fund të viteve 1970, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franko.
Një qeveri e këtyre dy partive do të ishte vazhdim i prirjes drejt së djathtës së skajshme mes anëtarëve të BE, pas Suedisë, Finlandës dhe Italisë.
Vende si Gjermania dhe Franca janë të shqetësuara tek efekti i një ndryshimi të tillë tek politikat e BE-së për imigracionin dhe klimën./VOA
Burimi: GAZETA.MK