Sot bëhen 7 vjet nga ngjarja e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, kur një grup i armatosur u përlesh me forcat e armatosura dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut.
Nga përleshjet jetën e kanë humbur 8 policë ndërsa 37 të tjerë janë plagosur, kurse grupi ka humbur 10 persona.
Nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke e pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagje urbane.
Për rastin në në fjalë janë të dënuar 8 persona me burg të përjetshëm, 13 persona me nga 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet burg, 1 person me 18 vjet burg, 2 me nga 14 vjet burg, 2 persona me nga 13 vjet burg, 2 persona me nga 12 vjet burg ndërsa 4 persona janë liruar.
Edhe pse rasti ka epilog gjyqësor, madje të finalizuar në Maqedoninë e Veriut, me vendim të Gjykatës Supreme, e vërteta për këtë rast ende nuk është zbardhur tërësisht dhe po kontestohet nga pala mbrojtëse. Ende nuk dihet se kush ishin organizatorët e vërtetë të rastit.
Së fundmi, Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për transferimin e Grupit të Kumanovës, shtetasve të Kosovës që ishin pjesëtarë të sulmit, duke nënvizuar se dinamika e realizmit të transferimit varet gatishmëria dhe shpejtësia e veprimit të gjykatave dhe institucioneve të tjera në këtë rast dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Atë që kam marrë nga dokumentacioni në fjalë dhe që e kanë referuar punonjësit e administratës brenda në ministri është se disa nga kërkesat nuk janë të kompletuara. Kemi filluar me procesin e kompletimit të dokumentacionit pastaj fillon një nga një fazat, të cilat rrjedhin deri në momentin që duhet të kryhet edhe transferimi i tyre në burgjet e Kosovës. Kjo ngërthen shumë institucione, si brenda vendit ashtu edhe në Kosovë. Pra, kemi të bëjmë me vendimet që duhet të njihen nga ana e Gjykatave në Kosovë, pra vendimet e plotfuqishme të cilat janë vendosur në Maqedoni të Veriut, varësisht nga gatishmëria dhe shpejtësia e gjykatave dhe institucioneve të tjera – në këtë rast edhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme – do të varet dinamika e realizimit të procesit në fjalë”, deklaroi mes tjerash Lloga.
Burimi: TV21