siguria rrugore gjate sezonit turistik 2026 policia e shtetit dhe policia e kosoves nenshkruajne marreveshje per organizimin e sherbimeve te perbashketa 6a1efbf496231

Siguria rrugore gjatë sezonit turistik 2026, Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për organizimin e shërbimeve të përbashkëta

June 2, 2026
min lexim

Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje  për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me qëllim përmbushjen sa më efektive të parametrave të sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik 2026.

Për të nënshkruar marrëveshjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.

Marrëveshja, e cila është dëshmia e radhës e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy policive, ka në bazë fluksin e lartë të përvitshëm të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova gjatë sezonit veror, si dhe lëvizjen intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.

Ky akt bashkëpunimi synon të vendosë në qendër të policimit rrugor teknologjinë dhe të shmangë ndalimet e automjeteve pa shkak. Gjithashtu, marrëveshja synon të intensifikojë angazhimin e përbashkët të efektivëve të të dyja policive për parandalimin e aksidenteve rrugore, konstatimin e shkeljeve rrugore, menaxhimin e flukseve të lëvizjes, shmangien e trafikut, goditjen e krimeve ndërkufitare dhe rritjen e vigjilencës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Hita, gjatë fjalës së tij, vlerësoi lart partneritetin me Policinë e Kosovës dhe theksoi se kjo qasje bashkëpunimi, pa barriera, ka dhënë rezultate konkrete në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike, si dhe kundër migracionit të paligjshëm dhe në drejtim të shkëmbimit të informacionit në kohë reale.

Drejtori shtoi se, për monitorimin e qarkullimit rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, janë shtuar dronët, radarët dhe automjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, të cilat kanë minimizuar kontaktin fizik të punonjësve të Policisë Rrugore me drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, si dhe kanë rritur transparencën dhe besimin e publikut.

Ndërkaq, Hoxha konfirmoi gatishmërinë e plotë të efektivëve të përzgjedhur për të shërbyer me korrektësi, profesionalizëm dhe humanizëm, krah efektivëve shqiptarë, në afërsi të zonave bregdetare dhe turistike, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore.

Gjithashtu, Hoxha konfirmoi vendosmërinë e Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar edhe më ngushtë në shkëmbimin e inteligjencës kriminale, me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira në luftën kundër krimit të organizuar.

Në përfundim të takimit, dy drejtorët nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor gjatë sezonit turistik 2026, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë rrugore dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

investoni ne paqe shefi i unmik ut takohet me diplomatet ne kosove 6a1efb76a355b
Lajmi i mëparshëm

“Investoni në paqe”, shefi i UNMIK-ut takohet me diplomatët në Kosovë

irak dy ushtare amerikan dhe nje britanik humbin jeten gjate stervitjes 6a1efc53325b4
Lajmi i radhës

Irak/ Dy ushtarë amerikan dhe një britanik humbin jetën gjatë stërvitjes

Të fundit nga

ShkoLartë