Si ndryshon jeta jonë pas vdekjes së prindërve?

Prindërit janë personat që na sjellin në jetë dhe me të cilët ndajmë aspektet më intime dhe më të ndjeshme të jetës sonë. Pas vdekjes së tyre, jeta ndryshon jashtëzakonisht shumë. T’i përballosh situatat si një jetim, edhe kur je në moshë të rritur, është një eksperiencë e tmerrshme. Përbrenda, ne jemi ende fëmijë dhe mendojmë se mund të mbështetemi tek prindërit për t’ia dalë mbanë. Por kur ata largohen nga kjo jetë, kjo mundësi zhduket përgjithmonë.

Nuk jemi asnjëherë të gatshëm ta përballojmë vdekjen, sidomos kur bëhet fjala për një nga prindërit tanë. Bëhet fjala për një sfidë që mund ta kalojmë me shumë vështirësi. Dhe për ta kaluar, të paktën në teori, duhet të jemi në gjendje ta kuptojmë vdekjen, por ajo është, në kuptimin e ngushtë, e pakuptueshme.

Sigurisht mënyra për ta pranuar një humbje është e lidhur me mënyrën se si ka ardhur. Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është akoma më e dhimbshme kur vjen për shkak të një aksidenti apo vrasjeje. Nëse një vdekje vjen prej një sëmundjeje të zgjatur në kohë, situata përballohet ndryshe nga një vdekje e papritur. Sigurisht, edhe koha nga vdekja e njërit prind, tek vdekja e tjetrit, ka rëndësinë e vetë. Nëse ato ndodhin në një kohë të shkurtër, dhimbja është më e vështirë për ta përballuar. Nëse ndërkohë, koha është më e gjatë, bëhesh më i “përgatitur” për ta pranuar humbjen.

Përgjithësisht, ne mendojmë se ajo ditë nuk do të arrijë asnjëherë, derisa vjen dhe bëhet realitet. Mbetemi të shokuar dhe nuk shohim gjë tjetër, veç një arkivoli me një trup të ngurtë, që nuk flet e nuk lëviz. Që është aty, por pa qenë realisht aty…

Mirëpo me vdekjen ne arrijmë të kuptojmë mjaft aspekte të jetës. Ndonjëherë mërzitemi se nuk kemi bërë mjaftueshëm për t’ia bërë më të bukur jetën dikujt. Nevojitet ta luftojmë këtë ndjesi, pasi nuk shërben për asgjë, përveçse na zhyt në trishtim, pa asnjë rrugëdalje.

Duajini prindërit sa janë gjallë, pasi nuk do të jetojnë përgjithmonë në këtë jetë. Pavarësisht nga mosha e tyre, kur prindërit vdesin, është normale të ndjesh një ndjenjë braktisjeje. Bëhet fjalë për një vdekje ndryshe nga gjithë të tjerat. Prindërit janë dashuria jonë e parë. Nuk ka rëndësi sa konflikte apo debate të kemi pasur me ta, mbeten sërish persona të pazëvendësueshëm brenda botës sonë emocionale. Edhe nëse kemi krijuar pavarësinë tonë, edhe nëse marrëdhënia me ta ka qenë e vështirë, kur ata nuk jetojnë më, e ndiejmë tmerrësisht shumë mungesën e mbështetjes dhe pranisë së tyre në jetën tonë.

Është sigurisht humbja më e madhe në jetë dhe më e vështira për t’u përballuar. Për këtë arsye, ndërsa janë gjallë, e rëndësishme është të jemi të vetëdijshëm se nuk do të jenë përjetë pranë nesh dhe të mundohemi t’ua bëjmë jetën sa më të lumtur, me aq sa kemi mundësi…

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Beqiraj prezantohet të skuadra e re! Camaj: Jemi shumë të kënaqur

Story i radhës

​Moti për dy ditët e ardhshme

Të fundit nga