1
Duket si një paradoks, edhe pse Shqipëria është kthyer në “kantier ndërtimi”, shqiptarët ikin. “Agjencia” jo zyrtare e lajmeve, por më publike se cilado tjetër, na bën me dije, dita – ditës, se kush ka ikur dje, familjarisht, kush do të ikë sot e kush pritet të ikë nesër, pasnesër, pas një muaji, në Angli, Amerikë, Kanada, Gjermani, Itali, Greqi, Suedi etj. Me këdo që të bjerë fjala, do të tregojë për të njohurit e tij që kanë ikur ditët apo javët e fundit. Ikje të pandalshme, a thua se një ditë do të shkulemi të gjithë prej këndej. Valigjet gati dhe drejt e në aeroport. Sipas Eurostat, “në tre vitet e fundit, numri i shqiptarëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian është rritur me gati 30 mijë persona”. Vetëm agjencitë tona shtetërore, qeveritare nuk lajmërojnë se kush iku dhe ku, sa shqiptarë e lanë vendin e tyre këtë vit e sa një vit më parë. Jo, ato janë më shumë të prirura të na tregojnë se sa veta u kthyen. Ka që janë kthyer dhe u kthefshin sa më shumë, por për bilancin e ikjeve, pa iu drejtuar zyrave, mjafton të shohësh klasat e shkollave si pakësohen nga ikjet e vazhdueshme të fëmijëve me prindërit jashtë vendit. Ky është realiteti, jo pak tronditës. Lind pyetja ç’po ndodh me shqiptarët këtë fillim shekulli XXI dhe mijëvjeçari të tretë? Braktisja fatkeqësisht është mbarëshqiptare. Një media në Kosovë shfaqte një video nga Prishtina me diçiturën: “Në parqe tani luajnë me shumë qen se fëmijë”.
Problematika komplekse e shpopullimit është e njëjtë në të dy anët e Morinit, nga pakësimi i popullsisë prej lindshmërisë së ulët, nga ikjet në masë jashtë vendit, nga helmimi i jetës prej politikës së korruptuar dhe asaj sociale prej krimit në familje etj. Ka aq vite që atdheut i grabitet çdo pasuri kombëtare nga pushtetarët kapitalistë. Ata mund të nxjerrin në ankand çdo gjë, presin pyjet shekullore për të mbushur xhepat e tyre, japin me koncesion minierat e kromit e bakrit, e me gjasë dhe Butrintin antik, shembin Teatrin Kombëtar pa pyetur për të zotët dhe nuk e ngrënë më, mbushin me beton bregdetin për llogari të tyre etj. Të gjithë janë të zemëruar me politikën. Ajo ka ndërtuar një Shqipëri për të vobektit dhe një të ardhme, jashtë vendit, për fëmijët e politikanëve. “Politika po shkatërron gjithçka, si në Tiranë, si në Prishtinë”, shprehet një zotëri nga Gjakova. Dhe shton: “Po ikin të gjithë!” Nuk ka vend për iluzion. Iket se nuk ka paga. Nuk paguan shteti e nuk paguan as privati. Janë qesharake pagat e kamarierëve, punëtorëve të ndërtimit, fasonerive, barinjve etj. Qeveria jo vetëm nuk i paguan vetë si duhet rrogëtarët e shtetit, por nuk detyron me ligj as sipërmarrësit që t’i paguajnë punëtorët si në vendet e tjera të rajonit. Tash këta po e paguajnë në kokën e tyre keqpagesën e të punësuarve, pasi iu duhet t’i gjejnë punëtorët “nëntë male larg”, në vende të tjera. Atëherë si mund të pyesësh: “A po shkojmë në Europë?” Jo, të paktën tash për tash! Europën e dëshirojnë njerëzit e thjeshtë, por jo politikanët, ngaqë ata e dinë se po u bëmë pjesë e Bashkimit Europian, ka ca standarde institucionale, politike, ekonomike, sociale e kulturore që nuk të lënë të notosh në ujërat e tua të ndenjura, të qëndrosh pafundësisht në pushtet, të “sundosh” në vend që të qeverisësh, të vjedhësh paratë publike etj. Prandaj Europa, duke na i njohur hilet, ka gjetur enkas për ne “statusin” e antarësimit të asociuar!? Vizioni i mendimtarëve të mëdhenj europianë, në dash që nga Sokrati e Platoni, për shtetin, republikën, qeverisjen, deri tek ai burrështetasve francezë, gjermanë etj. të pas Luftës së Dytë Botërore, që krijuan Europën e Bashkuar (integruar), këtu as që është “përkthyer”…
2
Ku po shkojmë? Quo vadis? Një pyetje që njerëzimi e ka bërë shpesh në raste dramash, krizash apo dilemash historike. Shqiptarët, mbase më shumë se të tjerët, e kanë pyetur veten “ku po vemi?” dhe nuk kanë marrë përgjigje për qindra vjet: mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mbas rënies së Pavarësisë më 1913 – teksa nuk po e mbanim dot shtetin në këmbë, apo kur Mbreti Zog përdorte hjekësinë ndaj tribunëve liberatorë, duke u ngritur prita cubash nga Bari në Selanik e deri në shpellën e Dragobisë. Dhe ne thurnim dy palë rapsodi, për heronjtë dhe për tradhtarët. Edhe më e fortë do të bëhej dilema mbas Luftës së Dytë Botërore, sërish me dy palë rapsodi, disa që këndoheshin në Tiranë dhe i thurnin himn Enver Hoxhës dhe Forcave të Ndjekjes dhe të tjera në Belgjikë e Amerikë, ku heronj ishin antiheronjtë e palës tjetër. Ku po shkojmë? pyesim pareshtur veten dhe këto tridhjetë vitet e tranzicionit, sërish duke u ndeshur si demat partitë politike kundërshtare, për fat të keq shpesh në një arenë të përgjakur, me ngjarje si të 2 prillit, 97-s, 98-s, Otrantos, 21 janarit, Gërdecit etj. Kjo me pak fjalë ka qenë tragjedia, që i ka bërë njerëzit të hedhin trastën e rrobave mbi shpinë dhe të ikin udhëve të botës. Por e shëmtuar është dhe komedia. Me e kuptue sadopak mjerimin social se ku gjendemi, mjafton më pa se si nis një ditë shqiptare sot. Me shërbyes që iu mbajnë çadrën politikanëve dhe ministrave, që ata të mos lagen nga shiu, kur ngjisin shkallët e Kuvendit, iu mbajnë pallton kur duan ta heqin apo ta veshin, iu hapin derën e makinës, iu mbajnë karrigën kur ulën për të folur para të tjerëve. Për dikë kjo mund të quhet protokoll, kurse për ne është një mbartje e zakoneve të tribusë në kohën moderne, ani nëse e shkruar apo e pashkruar në rregulloret e shtetit.
Njerëzit e thjeshtë nuk mund ta pranojnë këtë përulje “protokollare”. As vajtjen me dorë në zemër të kandidatit për President në zyrën e Kryeministrit për të marrë bekimin për detyrën e re!? Vetëm këtu ndodh që hierarkët e lartë të shtetit shkojnë në vetura të blinduara me xhama të zinj, kurse shkencëtarët dhe shkrimtarët e njohur me biçikleta. Zakonet i tribusë shihen dhe në vetëmburrjen e liderëve politikë, të bindur se prapa u shkon historia. Shpesh ata flasin para publikut me pathos duke përmendur emrin e tyre, si të jetë fjala për ndonjë hero të kombit. Prej kësaj psikologjie rapsodike çdo shkrues i zakonshëm e njeh veten për shkrimtar, çdo amator për artist e “ikonë” arti, a thua se në këtë vend ka veç VIP-a. Nuk është e rastit po ashtu që ende vazhdohet më mburrjen e trevave dhe katundeve nga vijmë, falë dhe mundësive që ka krijuar bota dixhitale. Njerëz që dhe pse rrojnë në qytetet më në zë të Europës, zihen mes tyre se cila krahinë ka qenë më qendrestare në histori, Nahia e Epër apo Nahia e Poshtme, a thua se kjo do të ndikojë në pranimin e vendit tonë në BE. Duam apo nuk duam, kemi mbërritur në pikën kritike “Ku po vemi?” ngaqë nuk kemi pyetur, në pamundësi për të bërtitur, në çaste kyçe historike, kur jemi veçuar nga bota, kur kemi ndërtuar Spaçin dhe Qafë – Barin, kur kemi prishur kishat e xhamitë, kur kemi ngritur kooperativat bujqësore në malësi, kur kemi mbushur tokën dhe detin me bunkerë?…
3
Kur bëjmë analiza të tilla, me të drejtë lexuesi pyet, more a ka ndonjë të mirë në këtë vend? Patjetër që ka. Njerëzit përpiqen të bëjnë profesionin e tyre. Biznesi nuk ndalet. Edhe qeveria punon. Edhe bashkitë. Por nuk kemi standard në shumëçka që bëjmë dhe ky është problemi. Punëtorët ngjitën në skela për të ndërtuar pallate apo përmirësuar fasadat, çatitë, shkallët, për të ndërtuar nga e para lagje të tëra pas tërmetit, ndërkohë që po aty, në këmbët e tyre, disa punëtorë të tjerë e “kurojnë” asfaltin e prishur duke e mbushur me dhé të kuq, çka zor të besohet! Në një anë luksi, në tjetrën ferri… infrastrukturor! Nuk mund ta kuptosh këtë kontrast, a thua se nuk është e njëjta qeveri si në qendër si në bazë? Si është e mundur që bashkitë duhet t’i luten qeverisë për të shtruar rrugët në territorin e tyre? I bie që këto të jenë të njerkës, kur është fjala për paratë e buxhetit të të njëjtit shtet. Nga ana tjetër, vërtet ndërtohet, por kryesisht në qytete dhe në zonën fushore, në atë rurale shumë më pak. Po të ishin kapur majëmalet që në fillim me asfalt, ikjet do të kishin qenë shumë më të pakta. Një problem serioz mbetet administrata, ajo nuk zgjidh, i sheh si barrë hallet e publikut dhe jo si detyrë. Është bërë reformë, sa i përket personelit, në arsim, shëndetësi, drejtësi, por jo në administratën publike, ajo është streha e vetme për militantët që nuk kanë se ku të punojnë tjetër në shtet. Megjithatë, nuk dëgjohen sindikatat, si të ishin të mirëqena vetëm për shekullin XIX e as shoqëria civile. Njerëzit nuk ikin po të shohin dritë diku në fundin e tunelit. Është e tepërt që të pangorpurve me “copat” e Shqipërisë t’iu kujtosh diçka nga morali njerëzor, aq më tepër t’iu vësh në dorë testamente si ai i Steve Jobs pak para se të shuhej, që pasurinë e quan “vetëm një fakt të jetës”, duke reflektuar, se tash që kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje që nuk lidhen me pasurinë, me diçka më të rëndësishme, mbase me marrëdhëniet njerëzore etj. Duhen dëgjuar e kuptuar të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.
Heroi ynë Kombëtar luftoi në mesjetë njëzet e pesë vjet kundër ushtrive të panumërta otomane për ta mbrojtur atdheun e tij, për ta bashkuar e trashëguar në shekuj gjeneratat që do të vinin, kurse në epokën moderne, pa na pushtuar askush, ne nuk jemi të zotët t’i mbajmë shqiptarët të “bashkuar” në vendin e tyre. Ekzistenca nuk vihet në pikëpyetje vetëm nga luftërat, por dhe nga zhbërja prej vetvetes. Rilindësi i shquar Pashko Vasa, trajtesën e tij “Shqypnia dhe shqyptarët” (1880), e përmbyll me këshillën e urtë që vllaznit me u dasht e me u nderua njëni me tjetrin, me u lidhë të gjithë me besë e me fe për lumninë e Shqypnisë, me dëshirën e madhe me e pa atë mbarë e mirë, të fortë e pasun. Një thirrje që nuk ka rreshtur deri në ditët tona. Por, a mjafton vetëm lutja për këtë, apo duhet të punojmë ndryshe nga deri më sot? Apo duhet të ngushëllohemi që të ikurit na vijnë për verë dhe të paktën i kemi një sezon?…
Ashtu siç shqiptarët rrojnë nëpër botë, dihet që dhe në Shqipëri ka të huaj, që e kanë bërë atë të veten me apo pa nënshtetësi, leje pune etj., pa bërë fjalë për “krushqitë” me të huaj që kanë ndodhur dhe më parë. Para tre vitesh flitej për mbi 50 mijë të huaj që rrojnë e punojnë në Shqipëri, shifër që sot duhet të jetë më e lartë, sado që vështirë të gjendet në zyra. Ata vijnë këtu se jetesa është më e lirë, ka mundësi për biznes, bregdeti shqiptar është joshës etj., nuk mund të presësh që të huajt t’i kesh vetëm vizitorë sezonalë si turistë, por dhe bashkëqytetarët tu. Bota shkon duke u integruar dhe në këtë mënyrë. Por Shqipëria nuk mund të lihet “djerr” nga të vetët, që pastaj të punohet nga ata që vijnë, pavarësisht nga “bota e parë” apo “bota e tretë”, të cilës etni a kombësi. Neni i parë i Kushtetutës duhet të jetë: “Shqiptarët janë gjithmonë përgjegjës për vendin e tyre”. Pse jo? Edhe kur ata rrojnë jashtë tij.