Shpallja e pavarësisë së Kosovës: – Pse ne shqiptarët jemi gjithnjë të vonuar?!

min lexim

Sot është 14 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës! Aktin e shpalljes e lexoi ish-kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi. Ai erdhi në pushtet vetëm disa muaj para shpalljes së pavarësisë dhe ky ndryshim politik nuk ishte i rastit. Thaçi nuk pranonte që pavarësinë e Kosovës ta shpallte dikush tjetër! Rugova, si arkitekt i pavarësisë dhe projektit të Kosovës së lirë, sovrane e demokratike nuk jetonte më.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja e dytë më e madhe në historinë e re të shqiptarëve në Ballkan. Ngjarja më e madhe shqiptare mbetet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë! Ndërsa akti i tretë më i madh historik i derisotëm është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO!

Megjithatë, po t’i analizojmë këto tri ngjarje, atëherë do të vëmë re një fenomen të përbashkët të tyre. Vonesën! Shqipëria u vonua në shpalljen e pavarësisë së saj! Ajo kishte mundësi që këtë akt ta realizonte së paku disa vite para se të zhvillohej teatri i Luftërave Ballkanike të vjeshtës së vitit 1912 e pranverës 1913. Në mos disa vite më parë, Shqipëria pati shanset që pavarësinë e shtetit shqiptar ta shpallte në gusht të vitit 1912, kur forcat kryengritëse shqiptare e çliruan Shkupin nga pushtimi osman. Por kjo nuk ndodhi në asnjërën prej këtyre kohëve shumë më të favorshme sesa shpallja e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Dhe kjo ndodhi për shkak të përçarjes së shqiptarëve, sidomos të lidershipit të tyre! Vonesa në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë është shkaku kryesor i copëtimit të territorit të saj. Nga ana tjetër akuzojmë Fuqitë e Mëdha Evropiane!

Pra, shpallja e pavarësisë në kushtet e pushtimit të vendit nga dy aktorët kryesorë të Aleancës Ballkanike, Serbisë në veri dhe Greqisë në Jug, çoi në ndarjen e territoreve të banuara me shqiptarë! Jemi mësuar që të fajësojmë aktorët jashtë ballkanikë dhe jashtë shqiptarë për dështimet tona! Dhe sa kohë të vazhdojmë kësisoj, aq kohë do të humbasim në realizimin e projekteve tona kombëtare! Para tri ditësh Leonora Jakupi lansoi një këngë, me të cilën fajëson Evropën edhe për dështimet tona të sotme, kur kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Dhe ky makth tragji-komik na ndjek në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes!

Pavarësia e Shqipërisë erdhi si rezultat I kompromisit midis Austro -_Hungarisë dhe Portës së Lartë, por jo edhe për shkak të patriotizëmës shqiptare! Varësia jonë ndaj politikave të Fuqive të Madhe është fatale! E paprecedentë! Nuk ka besoj komb tjetër që e var fatin e vet te aktorët dhe faktorët e jashtëm si ne shqiptarët! Prandaj dhe jemi të fundmit në rajon. Edhe në aplikimin e demokracisë, edhe në zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik. Jo vetëm kur shënojmë aktet madhore të shpalljes së shtetësisë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në fakt ndodhi tetë muaj para 17 shkurtit 2008 në Tiranë. Atë e lajmëroi presidenti amerikan, Georg W. Bush, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e kohës, Sali Berisha në Tiranë. Por Kosova mund të ishte shpallur e pavarur në vitin 2005 ose 2006, nëse shqiptarët në Kosovë do të bëheshin bashkë. në fakt ata ishin të përçarë edhe në ditën e pavarësisë, ashtu si u përçanë në ditën e mortit për presidentin historik, Ibrahim Rugova, më 21 janar 2006, duke refuzuar nderimin e tij me gardën kombëtare! U përçanë shqiptarët në Kosovë dhe u vonua shpallja e pavarësisë! Në vend që ajo të shpallej së paku në vitin 2006, u shpall gati dy vite më vonë. Pavarësia e Kosovës mund të shpallej më së paku një ose dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi! Por kjo nuk ndodhi, sepse duhej të vinte në pushtet Hashim Thaçi e ai ta lexonte deklaratën e pavarësisë. Shkurt shpallja e pavarësisë u vonua për ambicien e një njeriu, që ai të ishte protagonisti i saj! Ndërkaq Serbia i rifitoi kreditet e saj në skenën ndërkombëtare!

Edhe në këtë rast politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti ishin pasive, prisnin sinjalet nga Fuqitë e Mëdha, nga BE dhe SHBA! Por këta dy aktorë të fuqishëm kanë kohën e vet të llogarisë, e cila nuk është e njëjtë me kohën e shqiptarëve! Gabimi në kohë ishte me dy vite, njësoj si në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë! Por edhe dy javë vonesë janë shumë në akte të tilla të mëdha për një komb! Pikërisht kjo llogari u ka munguar dhe u mungon politikanëve shqiptarë! Ndaj dhe sot pas 14 vitesh Kosova ende nuk ka një vend në OKB dhe nuk është anëtare e NATO-s ose së paku vend kandidat për t’u pranuar në BE!

Të vonuar e shumë të vonuar ishim edhe në arritjen e tretë më të madhe në historinë tonë të re, atë të pranimit në NATO. Shqipëria ishte vendi i parë i Evropës ish-komuniste Lindore që kishte kërkuar anëtarësimin e saj në NATO, në vitin 1993! Atë kohë asnjë vend tjetër nuk kishte kërkuar të bëhej pjesë e Aleancës Atlantike. Por ndërkohë u bënë anëtare të saj shumica e vendeve të Lindjes, derisa Shqipëria të pranohej në këtë organizatë. Pse ndodhi kjo? Përsëri për shkak të përçarjes së politikës shqiptare. Kjo përçarje solli ngjarjet e vitit 1997 dhe shtyrjen për dhjetë ose njëzet vite të integrimit të vendit në NATO e në BE! Nëse nuk do të ishte vullneti i presidentit Bush dhe ndikimi i kryeministrit Berisha te ai, Shqipëria nuk do të bëhej anëtare e NATO-s as më 5 prill të vitit 2009.

Pra, të tria këto ngjarje më të mëdhatë në historinë e kombit tonë i kemi më shume dhuratë nga SHBA dhe Evropa, sesa produkt të mençurisë, urtësisë dhe veprimtarisë politike të brendshme! Kjo është tragjedia e vërtetë e jona si shqiptarë! Dhe ende sot e kësaj ditë nuk jemi të aftë të nxjerrim mësimet tona! Vazhdojmë të jemi të përçarë, madje më shumë joshemi nga dasitë, sesa nga bashkëpunimi dhe konsensusi në veprimet tona politike! Dhe në fund ia kërkojmë hesapin Evropës dhe SHBA-ve!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kriptoasetet janë kërcënim për stabilitetin financiar thotë një autoritet botëror

Story i radhës

Rusia do t’i përgjigjet SHBA-së për sigurinë e Ukrainës

Të fundit nga