Shkup: Zbulohet skema e pastrimit të parave përmes kredive fiktive

min lexim

Në shtatë banka në Maqedoninë e Veriut për gati dy dekada ka funksionuar një skemë e kreditimit fiktiv për kompanitë me qëllim të pastrimit të parave.

Këtë përfundim e ka nxjerrë një hetim i huaj lidhur me falimentimin e “Eurostandard” në Shkup, bankë kjo e financuar nga aksionari më i madh i saj, Trifun Kostovski, afarist dhe ish-kryetar i Shkupit.

Ekipi i hetuesve të huaj i udhëhequr nga Drago Kos, president i grupit të punës të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për korrupsionin në bizneset ndërkombëtare dhe ish-president i GRECO-s, tha të hënën në Shkup se në Maqedoninë e Veriut funksionon një sistem i financimit të paligjshëm bankar të kompanive, sipas zgjedhjes së tyre, që janë të ndërlidhura.

Sipas tij, ky sistem fiktiv nisi më 2004.

“Si bëhej kjo? Banka A [ndonjëherë dy ose më shumë banka merrnin pjesë në të njëjtën skemë] i ka dhënë një kredi një kompanie prej gjysmë milioni eurosh. Po atë ditë, ajo kredi i ka shkuar Bankës B, e cila po atë ditë i ka dhënë një kredi prej gjysmë milioni euro të njëjtës kompani, e cila i është kthyer Bankës A të nesërmen. Ndaj po ju pyes nëse mendoni se është e mundur pa bashkëpunim të përbashkët dhe dokumente të përgatitura paraprakisht, që dy banka të kanalizojnë gjysmë milioni euro përmes së njëjtës kompani? Përgjigja është e qartë, nuk mundet”, tha Kos.

Në këtë mënyrë, bankat kanë përfituar nga rritja artificiale e kredive, komisionet e paguara, kamata, kamata ndëshkuese dhe kosto të tjera, ndërsa kompanitë që kanë luajtur rolin e transmetuesve të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme, pra konvertimin e kredive në kredi për shkak të fushëveprimit të jashtëzakonshëm të skemës që nuk lejonte mundësinë e ushtrimit të kontrollit, zakonisht pësonin humbje të mëdha.

Hetimi ka përfshirë bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut si “Komercijalna”, “Invest banka/Sparkase banka”, “Uni banka”, “Stopanska Banka”, “Stater Banka”, “Eurostandard Banka” dhe “Ohridska Banka”, si dhe 45 kompani dhe Kiraca Trajkovska si person fizik.

“Në vitin 2011, ‘Eurostandard Bank’ ishte bërë pjesë e skemës ilegale”, deklaroi më 22 gusht aksionari më i madh i saj, Trifun Kostovski.

“As në ëndërr se kisha menduar se diçka e tillë do të ndodhte. Është gabim im personal sepse shumë i besoj dhe tani mësova se duhet të kisha besim, por edhe kontroll”, shtoi ai.

Sipas Kostovskit, “Eurostandard Bank” është “vrarë me qëllim” dhe është dërguar në falimentuar edhe pse qëllimi i tij, siç tha, “nuk ka qenë kurrë mashtrimi”.

Kreditë e dyshimta i ka marrë vesh në vitin 2019 dhe siç pretendon ai, pasi ka kuptuar se ishin pjesë e “skemës” dhe ka tentuar të tërhiqet nga skema, kanë nisur problemet, respektivisht përpjekjet për “vrasjen” e bankës.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut duke i cilësuar pretendimet në raport si “të pasakta dhe të parëndësishme”.

“Sjellje të tilla të papërgjegjshme, të motivuara nga interesa personale dhe motive private, mund të sjellin trazira dhe të shkaktojnë dëme të panevojshme dhe të pabaza në institucionet financiare në vend, e me këtë edhe te subjektet ekonomike dhe qytetarët. Për Bankën Popullore, vlerësimet dhe opinionet, veçanërisht për gjendjen në sistemin bankar e financiar të Maqedonisë së Veriut dhe mënyrën e funksionimit të Bankës Kombëtare, të shprehura nga porositësi i këtij raporti, si dhe personat e angazhuar prej tij për të përgatitur atë, janë të parëndësishme dhe të pasakta”, thuhet në reagimin e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.

Banka Popullore tha se punon sipas standardeve evropiane dhe se kryen mbikëqyrje të rregullt të punës së bankave si dhe ndërmerr masat e duhura në kuadër të kompetencave të saj për ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar.

Hetimi për rastin me “Eurostandard Bank” u hap më 8 shkurt të vitit 2021. Në njoftimin e Prokurorisë për luftën kundër krimit të organizuar të Maqedonisë së Veriut, katër persona dyshohen për pastrim parash dhe falimentimin me dashje të bankës.

“Eurostandard Bank” humbi licencën e operimit në gusht të vitit 2020 për shkak të, siç u theksua në atë kohë, rrezikut të pakontrolluar të huadhënies dhe provizioneve të mëdha për kreditë që nuk u shlyheshin në kohë.

Dëmi që ka pësuar banka arrin 55 milionë euro dhe ka të bëjë me 149 klientë që kanë marrë kredi që nuk i kanë shlyer, kështu që barra ka rënë mbi kursimtarët dhe depozituesit e tjerë të bankës./REL

Story i mëparshëm

Aksident në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, lëndohen shtetas të Maqedonisë

Story i radhës

Rusia kërkon që në OKB të diskutohet për Zaporizhjan

Të fundit nga