Fitorja në derbi 2-0 përballë Partizanit në “Air Albania” ka rritur moralin te Tirana, e cila tashmë në kudër të javës së 7-të të kampionatit do të përballet me Laçin ditën e nesërme duke nisur që nga ora 15:00.
Vetëm 1 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Partizani, në “Selman Stërmasi” bardheblutë do të kërkojnë fitoren ndaj kurbinasve për të shpresuar te një ndalesë e demave ndaj Vllaznisë, që kampionët të marrin frenat e renditjes.
Për të folur për duelin me bardhezinjtë, trajneri Orges Shehi ka theksuar se me Laçin asnjëherë nuk duhet të shikophet renditja, pasi është një skuadër që të bën dëm gjithmonë.
Laçi i fundit në renditje – Kundërshtari ka lojtarë cilësor. Në vitet e fundit është faktor në futbollin shqiptar. Kundërshtar që ka koeficientin më të lartë nga të gjitha klubet shqiptare në Europë. Do ta hiqja këtë vendi i fundit. Mendoj që është një skuadër që meriton vëmendje personale sepse është realisht një skuadër e fortë.
Eufori nga derbi? – Derbi ka intensitet shumë të madh dhe janë shumë pak ditë në dispozicion për të rikuperuar energjitë dhe emocionet. Këto ditë fokusi ka qenë te vlerësimi. Duke mbajtur mendjen në derbi dhe të humbin përqendrimin nga ndeshja e nesërme nuk është diçka e mirë.
Mungesat – Filipi na mungon për arsye dëmtimi dhe nuk do të luajë as për 2-3 javë të tjera. Kurse Lulaj doli me karton. Janë mungesa që na vështirësojnë disi por ka dhe lojtarë të tjerë aty që të mendojmë se kë do të hedhim në fushë. Organika në aspektin defensivë nuk na mungon. Kështu duhet të bëjmë zgjedhjen e përshtatshme.