SHBA me sanksione ndaj kompanive dhe individëve bjellorusë

March 24, 2023
1 minut lexim

Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për kontrollin e pasurive të huaja (OFAC), më 24 mars, bllokoi pasuritë e tri entiteteve dhe nëntë individëve, si dhe aeroplanin presidencial të presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Këto masa bazohen në sanksionet e vendosura ndaj individëve dhe subjekteve në Bjellorusi, si përgjigje ndaj goditjes brutale kundër lëvizjes pro-demokratike dhe shoqërisë civile, pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara në gusht 2020, njoftoi ky departament.

Këto veprime, gjithashtu theksojnë gatishmërinë e SHBA-së për t’i bërë thirrje për përgjegjësi regjimit në Minsk, për bashkëpunimin e tij në luftën e pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës, thuhet në deklaratë.

“Regjimi autoritar i Lukashenkas mbështetet në ndërmarrjet shtetërore dhe zyrtarët kryesorë për të realizuar të ardhura të konsiderueshme që mundësojnë veprime represive kundër popullit bjellorus”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson.

“Ne mbetemi të përkushtuar për imponimin e kostove ndaj regjimit të Lukashenkas, për shkak të shtypjes së demokracisë dhe për mbështetjen e luftës së Putinit (në Ukrainë)”, tha Nelson.

Njëkohësisht, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi kufizime të vizave për 14 persona të tjerë, përfshirë zyrtarë të regjimit.

Në listën e sanksioneve, gjithashtu janë shtuar anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Bjellorusisë, për shkak të zgjedhjeve presidenciale, siç thuhet, të falsifikuara, në gusht të vitit 2020.

KQZ-ja e Bjellorusisë luajti rol në ndalimin e kandidatëve të opozitës, në pamundësimin e qasjes te vëzhguesit e votimit, si dhe për shkak të certifikimit të numri të pasaktë të votave. OFAC, më herët, vendosi sanksione kundër disa prej anëtarëve të saj, për shkak të mashtrimit zgjedhor dhe tani ka shtuar gjashtë emra të rinj.

Me masat e reja amerikane është sanksionuar edhe aeroplani Boeing 737, i cili përdorët si aeroplan presidencial i Alyaksandr Lukashenkas, por për të cilin theksohet se Lukashenka e shfrytëzon për udhëtime personale dhe familjare.

Të gjitha pasuritë e personave të sanksionuar, në SHBA, tani janë të ngrira dhe institucionet financiare dhe personat e tjerë që kryejnë transaksione ose aktivitete me subjekte dhe individë të sanksionuar mund të ekspozohen ndaj këtyre masave./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zeka: Me zbatim të marrëveshjes Kosova bëhet pjesë e krijimit të tregut të përbashkët rajonal

Story i radhës

(VIDEO) Kryeministri dhe ministri paralajmërojnë ulje të çmimeve

Të fundit nga

ShkoLartë