shba ja miraton shitjen e raketave patriot ne ukraine zelensky paralajmeron per vonesa 6ae5daf913991

SHBA-ja miraton shitjen e raketave Patriot në Ukrainë, Zelensky paralajmëron për vonesa

October 31, 2026
min lexim

Departamenti amerikan i Shtetit ka dhënë dritën jeshile për shitjen e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot, në Ukrainë, në vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh. Kievi thotë se këto raketa janë jetike për të për t’u mbrojtur nga bombardimet e pareshtura ruse, të cilat në muajt e fundit kanë shënjestruar zonat e banuara dhe infrastrukturën civile.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se nevojiten “disa vjet” që 500 raketat të mbërrijnë në Ukrainë.

Duke e mirëpritur vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit si “vendim të fuqishëm”, Zelensky shkroi në një postim në rrjetet sociale se “500 raketa PAC-3 përbëjnë numër të madh” dhe mund të krijojnë një paketë efektive mbrojtjeje për këtë dimër. Megjithatë, ai theksoi se “dërgesat mund të fillojnë vetëm pas disa vjetësh”.

“Po u kërkojmë partnerëve tanë amerikanë të gjejnë një zgjidhje për periudhën kur ekziston një rrezik i vërtetë dhe nevoja për përdorimin e raketave PAC-3”, tha presidenti ukrainas, duke theksuar se infrastruktura energjetike e vendit të tij po sulmohet nga Rusia.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se shitja e propozuar e raketave, të cilat do të blihen me fonde nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, do të mbështesë synimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, “duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner që është faktor i stabilitetit politik dhe ekonomik në Evropë”.

Njoftimi për shitjen e propozuar erdhi pasi Zelensky përsëriti më 30 tetor thirrjet drejtuar Shteteve të Bashkuara që të përshpejtojnë dërgimin e raketave parandaluese, të cilat shihen si arma më e mirë kundër sulmeve me raketa balistike nga Rusia.

Në shtator, Komisioni Evropian miratoi 6.1 miliardë euro për prokurimin e pajisjeve të mbrojtjes për Ukrainën.

Kjo shumë përfshinte edhe blerjen e raketave amerikane PAC-3 për sistemet Patriot, përmes një përjashtimi të posaçëm nga rregullat e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian nuk specifikoi se sa para ishin ndarë për këto raketa, për shkaqe të sigurisë operacionale.

Gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit Evropian në tetor, Zelensky u tregoi pjesëmarrësve se sa raketa për sistemet Patriot do t’i nevojiteshin Ukrainës për ta përballuar dimrin.

Përfundon evakuimi nga Oleshki

Ndërkohë, evakuimi i banorëve nga qyteti Oleshki, në jug të Ukrainës, i pushtuar nga Rusia, ka përfunduar, pasi Moska dhe Kievi vazhduan t’i përmbahen armëpushimit të përkohshëm, të ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.

Autobusë të mbushur me civilë u larguan nga zona për herë të parë në më shumë se katër vjet, pa asnjë incident. Armëpushimi pritet të mbetet në fuqi deri më 1 nëntor.

Komisionarja ruse për të drejtat e njeriut, Yana Lantratova, tha në një postim në rrjetet sociale më 30 tetor se, pasi mbërriti në Krimenë e pushtuar nga Rusia, njëri prej kolonave të autobusëve u nis drejt Rusisë, ndërsa kolona e dytë shkoi drejt Ukrainës.

“Po e përmbyllim misionin tonë humanitar në Oleshki. Tani ndodhemi në territorin e Armianskut, në veri të Krimesë”, tha ajo në një video të publikuar në Telegram, duke shtuar se të dyja palët kishin vlerësuar standardin e lartë të organizimit të operacionit.

Komisionari ukrainas për të drejtat e njeriut, David Lubinets, konfirmoi evakuimin, duke thënë se banorët e Oleshkit që dëshironin të udhëtonin drejt Ukrainës ndodheshin rrugës për në qytetin rus Anapa.

“Në këtë pikë, ata që dëshironin të largoheshin nga Oleshki drejt Ukrainës kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë dhe tani janë rrugës. Ndihma humanitare është dorëzuar. Kolonat janë ndarë dhe unë po nisem drejt Ukrainës”, shkroi ai.

Qindra banorë të Oleshkit pritej të ktheheshin në territorin e kontrolluar nga Ukraina përmes një rruge të tërthortë. Pasi të mbërrijnë në Anapa, në jug të Rusisë, civilët do të udhëtojnë me avion drejt qytetit Homel të Bjellorusisë dhe prej andej, me autobus, do të hyjnë në rajonin verior ukrainas të Çernihivit.

Kjo rrugë e tërthortë ishte e nevojshme për të shmangur rrugët përgjatë vijave të frontit, të cilat janë minuar dhe shkatërruar rëndë nga luftimet, të shkaktuara nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

lavrov nese zelensky deshiron te takohet me putinin duhet te vije ne moske 6ae5dac1a18ba
Lajmi i mëparshëm

Lavrov: Nëse Zelensky dëshiron të takohet me Putinin, duhet të vijë në Moskë

grabitje e armatosur ne cair tre persona te maskuar kercenojne me pistolete punonjesin e bastores 6ae5db536a567
Lajmi i radhës

Grabitje e armatosur në Çair: Tre persona të maskuar kërcënojnë me pistoletë punonjësin e bastores

Të fundit nga

ShkoLartë