Në 12 vitet e fundit, shteti i Uashingtonit ka pritur më shumë se 6200 refugjatë nga Ukraina, shifër kjo më e lartë se çdo shtet tjetër amerikan. Tani pas nisjes së agresionit rus, agjencitë lokale dhe vullnetarët po përpiqen të ndihmojnë refugjatët e rinj ukrainas që futen në territorin amerikan përmes kufirit meksikan. Korrespodentja e Zërit të Amerikë, Natasha Mozgovaya sjell detaje.
Një shkollë në Siatëll, shteti i Uashingtonit, është vendi ku refugjatët ukrainas që janë larguar nga lufta takohen me vullnetarë të komunitetit dhe organizata lokale që do të ofrojnë ndihma për ta.
“Është hera e dytë që Putini po na detyron të largohemi. Fillimisht, ne jetonim në Donetsk. Në vitin 2014, kur nisi lufta atje unë dhe familja ime, atëherë kishim një fëmijë dhe bashkëshortja ishte shtatzënë, u zhvendosëm në Zaporizhia. Aty nisëm një jetë të re. Jetuam atje për tetë vjet dhe tani duhet të largoheshim nga Zaporizhia sërish, këtë herë me tre fëmijë. Nga Polonia ne shkuam me avion në Barcelonë. Më pas në Tijuana të Meksikës dhe së fundmi këtu në shtetin e Uashingtonit”, tregon Philipp Chekunov, refugjat ukrainas.
Olga Okhapkina, themeluese e një organizate, thotë se çdo ditë e më shumë numri i refugjatëve ukrainas vijon të rritet në shtetin e Uashingtonit.
“Për fat të keq, për shkak të luftës dhe duke qenë të detyruar të largohen, ata vijnë të rënduar emocionalisht. Kështu që ne përpiqemi të bashkëpunojmë me shumë psikologë dhe të ofrojmë falas konsultime për t’i ndihmuar ata. Kërkesat kryesore janë se ku do të jetojnë, si të gjejnë një punë, si të mësojnë anglisht, si të ndihmojmë fëmijët e tyre”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.
Zyrtarët nga agjencitë lokale që merren me strehimin në Siatëll thonë se situata është e rëndë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, krizës së strehimit në këtë qytet si dhe përpjekjeve për pritur më herët refugjatët afganë.
“Strehimi në Siatëll ka qenë për vite në krizë. Dhe vazhdon të jetë. Popullsia lokale po kërkon strehim dhe kemi njerëz në të gjithë vendin që po zhvendosen në Siatëll për më shumë mundësi”, thotë Medard Ngueita, nga organizata “World Relief Seattle”.
Philipp-i, i cili duhet të risnisë jetën nga fillimi, thotë se vështirësitë janë të shumta, po ai ka besim se do t’ia dalë.
Pasi forcat ruse filluan bombardimin e Kievit, edhe Daria Koucherets vendosi të largohej. Tani ajo dhe dy djemtë qëndrojnë në shtëpinë e motrës së saj, në Port Orchard.
Daria tregon për Zërin e Amerikës se bashkëshorti i shoqëroi deri në kufiri me Rumaninë dhe më pas u kthye në Ukrainë për të luftuar.
“Kudo që shkonim njerëzit na ndihmonin në çdo qytet, në çdo vend edhe kur erdha në Shtetet e Bashkuara. Jam shumë mirënjohëse”, tregon ajo.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët më shumë se 4.8 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që kur Rusia nisi agresionin. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 2.7 milionë janë larguar drejt Polonisë./VOA