Serbia “pushton” përsëri tregun e Kosovës me mallra, ia kalon Shqipërisë

July 10, 2022
min lexim

Kosova importon deri në 90% të produkteve që i nevojiten, duke filluar nga ato ushqimore e deri tek ato të ndërtimit. Serbia po e shfrytëzon çdo herë varësinë nga importi, duke e “pushtuar” tregun. Brenda pesë muajve të këtij viti, nga Serbia janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro. Prapa ka mbetur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Nga Fatos Shala

Problemet me Serbinë, Kosova i ka të pazgjidhura, por kur vjen puna tek shkëmbimi tregtar, gjërat ndryshojnë. Këtij ndryshimi, efektin po ia sheh vetëm Serbia. Brenda 5-mujorit të parë të këtij viti, vetëm nga Serbia për në Kosovë janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro.

Vitin e kaluar, nga Serbia për në Kosovë kanë hyrë 261 milionë kilogramë produkte, me vlerë mbi 300 milionë euro. “Nëse krahasohet viti i kaluar me vitin aktual, në pesë muajt e parë shohim se nga Serbia, vjet kemi importuar 261 milionë kilogramë produkte. Ndërsa këtë vit ka më pak, rreth 8 milionë kilogram mallra. Është ulur sasia e produkteve, por vlera ka shënuar rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve”, shprehen nga Dogana e Kosovës.

Krahas importit që është shumë i madh, edhe eksporti i Kosovës për në Serbi ka shënuar rritje të vogël. “Brenda pesë muajsh janë eksportuar mallra në vlerë afërsisht 25 milionë euro. Shifra pozitive, Kosova ka shënuar edhe në eksportin e mallrave në raport me shtetet tjera”.

Deri më tani janë eksportuar rreth 354 milionë euro mallra. Ndërsa deri në fund të vitit, sipas Doganës së Kosovës, vlera e eksportit pritet të arrijë vlerën 900 milionë euro.

Serbia i zë vendin Shqipërisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi sipas tyre, dikur i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia e në vitin 2021, Serbia kthehet në vendin e parë me mallra në Kosovë, me rritje prej 76%.

Në një postim në Facebook, Hoti shkruan: “Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%. Njëherë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Njëherë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, shkruan Hoti.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër herën e parë, mori vendim për heqjen e taksës 100% që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe. Kjo pas presioneve të mëdha ndërkombëtare. Por, pak ditë para se të bëhej kryeministër për herë të dytë, në një intervistë së bashku me Presidenten Vjosa Osmani kishte premtuar se do të vendoste masën e reciprocitetit për Serbinë.

Siç thoshte Kurti në vitin 2021, vendosja e masës së reciprocitetit do të jetë çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh. Megjithatë që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se një vit dhe Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Si rezultat, importi nga Serbia nga viti 2019 kur Kosova i kishte vendosur taksën, deri në vitin 2021, është rritur ndjeshëm, duke i kaluar 300 milionë euro. Për këtë fakt, ditë më parë pati reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili ka provuar të japë sugjerime se cila periudhë me cilën duhet krahasuar.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020, kur kishte masa të theksuara kufizimesh, sa që për shkak të pandemisë, edhe kufijtë u patën mbyllur. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht, importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë.

Por, assesi nuk i sheh të bëjnë krahasime me vitet 2017 apo 2018, vite normale të shkëmbimeve tregtare. Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, përkatësisht 20% – edhe pas rritjes së gjithmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave, si dhe mbylljes së rrugëve jolegale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në Veri të vendit. Në vitin 2017, Serbia ishte në vendin e parë prej nga ne importonim, ndërsa në vitin 2021 dhe këtë vit, zë vendin e katërt”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij zyrtar.

Në fund të reagimit të tij, Kryeziu thotë se s’flitet për faktin e rritjes së shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.

“Në të njëjtën kohë, rrallëherë flasin për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet mike si Gjermania, Turqia, e Shqipëria. Aq më pak, për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë. Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më parë”, thotë në fund të reagimit, Kryeziu.

Mirëpo edhe kryeministri Albin Kurti, kur fliste për rritje ekonomike, e bënte krahasimin me vitin 2020, kur ishte pandemia COVID-19.

“E arritur e theksuar këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore që ka bërë të kemi një bonus prej 800 milionë eurosh në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetore dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur me 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 me 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019. Investimet e Huaja Direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar me 53%, e 80% krahasuar me vitin 2019 sa u përket muajve të parë të vitit, ose tremujorëve të parë siç bëhen matjet. Është interesante si në tremujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3% ndërsa në tremujorin e tretë 14.3%”, kishte thënë Kurti./monitor

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbi 2 mijë raste aktive me Covid-19

Story i radhës

​Po bënte hiking me qenin, gjendet në Karaburun turisti gjerman

Të fundit nga

ShkoLartë