Serbia përgatitet për luftë, ndërkohë ka shqiptarë që “shpresojnë” vetëm te KFOR-i!

April 12, 2022
min lexim

Eksperti dhe studiuesi amerikan, Janush Bugajski, ka shkruar në Tëitter se “Vuçiç është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putin që të destabilizojë Ballkanin”! Se në Serbi vazhdon sot e dy shekuj aleanca e ngushtë Beograd-(Petergrad) Moskë, kjo histori është e njohur dhe e pakontestueshme. Se “Bota ruse” e Vladimir Putin çoi në sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, edhe kjo është e ditur. Ndërkaq ne jemi bërë me dije që menjëherë pas “Botës ruse” u promovua para forcave ushtarake të Serbisë ajo që quhet “Bota serbe”! Në atë promovim mori pjesë vetë presidenti Aleksandër Vuçiq.

Tani dikush vijon e më thotë se “Vuçiq nuk është kërcënim për rajonin dhe Kosovën”?! Serbia përgatitet për luftë në Ballkan. Ajo është armatosur me armë ruse, kineze, turke e së fundmi dhe franceze. Thuhet se gjithashtu gjermanët kanë shitur armë në Serbi. Vetëm për amerikanët nuk është thënë asnjëherë se e kanë bërë këtë lloj tregëtie me Beogradin. Në fakt, për amerikanët ende Serbia mund ta destabilizojë Ballkanin, pavarësisht se Escobar deklaroi të kundërtën para pak ditësh.

Kam shkruar edhe herë tjetër e kam thënë se presidenti amerikan, Bill Clinton, në fjalimin e tij të mbrëmjes së datës 23 mars 1999, kur urdhëroi sulmet ushtarake të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe, tha se qëllimi i këtyre sulmeve ishte gjithashtu demilitarizimi i Serbisë. Këtë synim ai e motivoi para 23 vitesh me ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kjo do të thoshte se Serbia, pra vetëm Serbia, u konsiderua shkaktar i luftrave dhe destabilizimit të Ballkanit në hapësirën ish- Jugosllave.

Por sot? Janush Bugajski na thotë diçka shumë serioze. Presidenti i Serbisë është udhëzuar të destabilizojë Ballkanin Perendimor. Atëherë na rezulton se armatosja e Serbisë po bëhet për këtë arsye, sepse shtetin serb në kufijtë e sotëm askush nuk e kërcënon. Serbia e sotme pa Kosovën nuk ka probleme kufitare me asnjë vend fqinjë. Ka probleme nacionale, emocionale, sepse nuk e pranon faktin që në Mal të Zi, në Bosnjë Hercegovinë e në Kosovë jetojnë edhe serbë. “Bota serbe” për Beogradin përfshin këto tri vende, në mos edhe Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër liderët politikë të Serbisë besojnë se ata përfitojnë territore vetëm në luftë dhe vetëm përmes konfliktit! Se ata humbasin në paqe, këtë teoremë e kanë artikuluar disa politikanë serbë, përfshirë Ivica Daçiq.

Megjithatë shqetësimi kryesor është e duhet të mbetet euforia e shqiptarëve. Bugajski shkruan se masa profilaktike e parandalimit të krijimit të situatave të rrezikshme në Ballkan është anëtarësimi në NATO. Sipas tij, “Rruga e shpejtë drejt anëtarësimit në NATO për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën është thelbësore për të penguar luftën”. Por nuk e shohin këtë si të domozdoshme politikanë dhe analistë shqiptarë jo të paktë. Euforia se “Gjithçka e garanton NATO e për pasojë nuk ka nevojë për t’u përgatitur për situata kërcënuese”, është tezë apatie dhe e papërgjegjshme. Fatkeqësisht këtë tezë e mbron vazhdimisht kryeministri i Shqipërisë dhe analistë të mediave pro tij në Shqipëri e në Kosovë.

Eshtë naivitet të mbështetesh vetëm te KFOR-i dhe forca e tij mbrojtëse për Kosovën, sepse Serbia, nëse do të ketë mbështetjen efektive të Rusisë dhe aleatëve të tjerë ushtarakë, mund të proovokojë e madje të shkaktojë konflikt për të rikthyer veriun e Kosovës në territorin e saj. Beogradi e ka më të vështirë këtë me Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi, pasiqë janë vende sovrane dhe Mali i Zi edhe anëtar i NATO-s. Por nuk e ka të vështirë ndërhyrjen edhe me forca ushtarake në veri të Mitrovicës. Kurse në Republikën Srpska dhe në Mal të Zi ajo nxit faktorët serbë e proserbë për destabilizimin e këtyre vendeve. Përvoja e viteve 1990, kur gonocidi në Srebrenicë dhe kundër boshnjakëve u trajtua si konflikt i brendshëm, e ndihëmon Serbinë të pjekë gështenjat dhe të mos i përcëllojë gishtat e saj.

Sa kohë që Beogradi nuk e njeh Kosovën, aq kohë Kosova e sidomos veriu i saj është i kërcënuar nga ushtria dhe shteti serb. Sepse në këtë aventurë Serbia llogarit të ketë solidaritetin e vendeve që nuk e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, madje edhe të pesë vendeve anëtare të BE-së dhe katër prej tyre edhe annëtare të NATO-s. Ndërkaq ne nuk e dimë se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Do të ketë një fitore të plotë të Ukrainës, duke vendosur sovranitetin e saj edhe ne Lindje (Donbas) e në Krime, apo do t’i lëshojë këto dy rajone. Nëse ndodh kjo e dyta, do të rikthehet diskutimi për ndarjen e Kosovës, sepse krijohet precedenti i Krimesë dhe Donbasit, të cilat shkëputen prej Ukrainës dhe i jepen Rusisë. Shumëkush thotë se kjo nuk mund të ndodhë. Por bota ka njohur kompromise edhe më të dhimbshme se kjo.

Në këtë rast Kosova është e kërcënuar drejtpërdrejt. Mjafton një provokim me forca komando ose ushtarake dhe do të ketë jo pak ndërkombëtarë europianë e jo pak ligjvënës amerikanë që do të thonë “Nuk mund të nisim Luftën e Tretë Botërore për 1000 ose 2000 km2 të Kosovës”! Por ajo që më bën të reagoj nuk është aq naiviteti i opinion-bërësve politikanë e analistë, sa qëndrimet anti-shqiptare të disave prej tyre! Kjo është tragjedia jonë. Serbia vazhdimisht paguan shqiptarë që të luftojnë kundër shqiptarëve!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ministria e Mbrojtjes paralajmëron luftimet të intensifikuara në Ukrainën lindore gjatë 2-3 javëve të ardhshme

Story i radhës

Nehammer: Bisedime të vështira me Putinin në Moskë

Të fundit nga

ShkoLartë