Rusia tha sot se ka rrëzuar dhjetëra dronë të lëshuar nga Ukraina.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 42 dronë u shkatërruan mbi Krime, nëntë u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore, 33 nga përdorimimi i mjeteve elektronike.
Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Nuk pati njoftime për viktima.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së tha të enjten se do të trajnojë ukrainasit për përdorimin dhe mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16.
Departamenti i Mbrojtjes tha në një deklaratë se trajnimi do të mbahet në bazën e Gardës Kombëtare Ajrore Morris në Tucson, Arizona.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder tha se trajnimi nga Shtetet e Bashkuara është në vazhdën e përpjekjeve ndërkombëtare për të zhvilluar dhe forcuar mbrojtjen e Ukrainës në terma afatgjatë.
Trajnimi do të fillojë në tetor, pasi ukrainasit të përfundojnë një kurs të gjuhës angleze që do të fillojë në shtator, raporton VOA.
Ndërkohë, Norvegjia po i dhuron Ukrainës avionë luftarakë F-16, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere gjatë një vizite në Kiev të enjten.
Numri i saktë i avionëve të dhuruar nuk ishte i qartë, por kryeministri tha se ndoshta do të ishte më pak se 10.
Norvegjia është vendi i tretë evropian, pas Holandës dhe Danimarkës, që njofton dhurimin e avionëve luftarakë për t’u përdorur në luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
Po të enjten, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj 11 personave dhe 2 subjekteve që thuhet se janë të lidhura me zhvendosjen dhe transferimin e detyruar të fëmijëve të Ukrainës, ndërsa Uashingtoni rrit presionin ndaj Moskës për agresionin e saj në Ukrainë.
Qeveria e Ukrainës vlerëson se autoritetet ruse kanë dëbuar dhe/ose zhvendosur me forcë mbi 19,500 fëmijë nga shtëpitë e tyre që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Burimi: GAZETA.MK