Lufta ruse del jashtë kufijve të Ukrainës, duke shënjestruar një vend të NATO-s. Për herë të parë që prej fillimit të luftës, një dron i Moskës, i lëshuar gjatë një vale bombardimesh kundër Ukrainës, ra në një zonë të populluar në Rumaninë fqinje.
Droni goditi një pallat 10-katësh në qytezën e Galatit, pranë kufirit me Moldavinë dhe Ukrainën, duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr. Të paktën 2 persona mbetën të plagosur dhe 7 u evakuuan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, reagoi ashpër, duke e bërë të qartë se aleanca mbetet e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit dhe se sjellja e papërgjegjshme e Rusisë përbën rrezik për të gjithë.
“Zhvillova një bisedë me Presidentin e Rumanisë për dronin rus që goditi një ndërtesë banimi në Galati. Konfirmova se NATO është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat. Do të vazhdojmë të rrisim gatishmërinë tonë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë dronët. Sjellja e pamatur e Rusisë është rrezik për të gjithë ne”, deklaroi Rutte.
Ministria e Mbrojtjes në Rumani sqaroi se e gjithë ngarkesa eksplozive e dronit Geran-2 me origjinë ruse kishte shpërthyer gjatë impaktit me tarracën e pallatit, duke shkaktuar zjarr në katin e 10-të.
Në një deklaratë u tha se dy avionë luftarakë F-16 dhe një helikopter ushtarak ishin ngritur në ajër për të monitoruar sulmin, ndërsa pilotëve iu dha autorizimi për të rrëzuar çdo dron.
Sipas ushtrisë, droni qëndroi në hapësirën ajrore të Rumanisë për katër minuta, duke fluturuar në lartësi të ulët, gjë që e bëri të vështirë zbulimin nga radarët.
“Droni që shkaktoi incidentin në Galati u zbulua në orën 01:46, 19 kilometra në lindje të Reni-t. Ai hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë në orën 01:52 dhe humbi nga radarët në orën 01:56, pasi kishte përshkuar rreth 10 kilometra brenda hapësirës ajrore kombëtare. Të gjitha të dhënat e disponueshme janë analizuar për të përcaktuar saktësisht rrjedhën e ngjarjeve dhe rezultoi se nuk kishte mundësi reale për ta neutralizuar në mënyrë të sigurt. Dua ta bëj shumë të qartë se situata është nën kontroll. Ne nuk po përballemi me një sulm ndaj Rumanisë”, deklaroi Gjenerali Gheorghe Maxim.
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, e quajti incidentin një “shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare” dhe njoftoi se kishin thirrur ambasadorin rus.
Presidenti Nicușor Dan ndërkohë thirri një mbledhje emergjente të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Rumune, duke e cilësuar sulmin me dron rus si “incidentin më serioz që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës agresive të Rusisë”.
Burimi: opinion.al

