Moska e ka refuzuar një propozim të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres për të çmilitarizuar zonën rreth centralit bërthamor në Zaporizhja, në jug të Ukrainës.
Rusët e kanë marrë kontrollin e kësaj zone, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Përgjatë një konference për media më 18 gusht, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Ivan Nechaev, ka thënë se propozimet janë “të papranueshme”.
Centrali bërthamor në Zaporizhja është më i madhi në Evropë, andaj edhe ka shqetësime në rritje për katastrofë bërthamore.
Në ditët e fundit ka pasur sulme me granata afër centralit.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për këto sulme.
Kombet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë edhe për të ndërmjetësuar një vizitë të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike në central, mirëpo Moska ka hedhur poshtë idenë që zyrtarët ndërkombëtarë të udhëtojnë përmes Kievit.
Megjithatë, autoritetet ruse kanë thënë se do të bëjnë gjithçka që munden për t’iu mundësuar inspektorëve qasjen në central.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL