Rruga Pejë – Kuçishtë që lidhë 14 fshatra të trevës së Rugovës, në gjendje të mjerueshme..!?

min lexim

Kushdo që javëve të fundit me makinë ose pa të, ka kaluar rrugës rajonale Pejë – Kuçishtë dhe anasjelltas, e cila gjarpëron nëpër kanjonin e Grykës pitoreske të Rugovës, në gjatësi prej 25 km, në vend se të shijohen bukuritë magjepse të kësaj natyre të rrallë në Kosovë, e njohur me emrin “Alpet e Rugovës”, është ballafaquar me tmerret që paraqesin gropat e mëdha në asfaltin e vendos diku para gati 40 viteve, i harrnuar pas luftës për faqe të zezë nga komuna e Pejës, e që sot, 23 vite pas çlirimit është në gjendje shumë më të keqe se sa që ishte para luftës..!?

Banorët autokton të trevës së Rugovës e dinë më së miri, se sa jetë të banorëve të kësaj treve i ka marrë kjo rrugë tejet e rrezikshme gjatë shekujve, së pari për shkak të pozitës së saj komplekse natyrore, përplotë me kthesa të mëdha, pastaj nga rrëshqitjet e zallit kur bijnë shira dhe kur shkrihet bora, si dhe nga rrokullisja e gurëve të mëdhenj të cilët e bllokojnë rrugën me orë dhe ditë të tëra, shpeshherë duke i marrë jetë të njerëzve, etj., dhe së dyti, për shkak se kjo rrugë e cila aktualisht paraqet aksin e vetëm zhvillimor për këtë trevë, asnjëherë nuk është rindërtuar, riparuar, as zgjeruar dhe sinjalizuar siç e kërkojnë standardet evropiane të rrugëve, duke ngelë nën mëshirën e stinëve dhe njerëzve të papërgjegjshëm, pra pa asnjë kujdes të duhur, duke e lënë pas dore, njëjtë, sikur udhëheqësit e komunës së Pejës, po ashtu edhe nga vetë Ministria qendrore për transport dhe zhvillim rrugorë, të cilët sikur për inati të ndokujt e kanë anatemuar dhe lënë pas dore këtë rrugë, po sikur treva e Rugovës të mos ishte pjesë e territorit të Kosovës..!?

Pra, kjo rrugë si tejet e rëndësishme, jo vetëm për banorët e kësaj treve, por edhe për zhvillimin e turizmit, në vend se të ishte ndërtuar dhe rregulluar e ndër rrugët e para në Kosovë pas luftës, kur dihet se çfarë mundësive ofron kjo trevë edhe për zhvillimin e bagëtisë, blegtorisë si dhe qendrave rehabilituese, në veçanti mundësinë për kthimin e mijëra banorëve rugovas në tokat e tyre stërgjyshore, denbabaden të kurdisur në këto troje Iliro-Kelmendase, të cilët për shkaqe të tmerreve të luftës së fundit (1990-99) u detyruan t’i braktisin shtëpitë dhe vatrat e tyre shekullore, kjo trevë dhe rrugë mbeti pas dore (hiqe pjesën e rrugëve të asfaltuara nëpër disa fshatra), sikur nga qeveritë e kaluara (PDK-së, LDK-së dhe AAK-së), ashtu edhe nga qeveria aktuale, e cila po bëhen gati dy vite qëkur është në pushtet, por e cila nuk ka ndërmarrë asgjë për sanimin e gjendjes së mjerueshme dhe me plotë rreziqe të kësaj rruge për jetën e njerëzve, e që përpos banorëve autokton, me qindra të tjerë nga vise të ndryshme të Kosovës kanë ndërtuar vila dhe kamp-shtëpiza si dhe disa qendra rehabilituese, por derisa të ngjiten tek ato, jeta e tyre rrezikohet seriozisht nga kalldrëmet, tunelet e ngushta si dhe ngushticat e shumta, të cilat do duhej të ishin hequr dhe rindërtuar deri më tash..!?

Madje, ishin qeveritë e mëparshme dhe “ekspertet” e tyre, ata të cilët në vitin 2004 trevën e Rugovës me ligj e shpallën “Park kombëtar”, ndërsa sikur me qëllim kishin “harruar” t’ia ndërtonin rrugën kryesore, pa të cilën nuk ka park në botë që mund të zhvillohet, ngase tërë këtë maskaradë e kishin bërë pushtetarë të cilët as sot nuk e dinë se ku i bie treve e Rugovës, e lere më të kenë pasur njohuri se cilat janë specifikat natyrore, klimatike, pyjore, blegtorale, turistike dhe autoktone që kjo trevë i posedon qëkur ekziston kjo botë!

E shihni pra, se çfarë ekspertësh ka Kosova, të tillë, të cilët një krahine të tërë plotë me begati që ia ka dhuruar Zoti, lere që nuk ia kanë ndërtuar rrugët, por të cilës i kanë vu pengesa prej më idioteskesh, siç është kufizimi i ndërtimit dhe riparimit të shtëpive që i ka shkatërruar lufta dhe koha, siç është ndalimi i prerjes së pyjeve në pronat private, siç është futja në ligjin e Parkut nacional të 14 fshatrave dhe pronave të tyre private, etj., që është shembulli më bizar dhe më antikombëtar që nuk e gjen dot askund tjetër në botë..!?

Mjerisht, të njëjtin fat e ka pësuar edhe Autostrada e Dukagjinit, e cila që 23 vite është injoruar brutalisht nga qeveritë e kaluara, por edhe nga kjo e tanishmja, dhe ata të cilët çdo ditë e kalojnë këtë rrugë që ka jo më shumë se 40 km. nga Kijeva e deri në Zahaq, e heqin të zitë e ullirit derisa arrijnë në Pejë ose anasjelltas në Prishtinë, ngase në këtë relacion çdo ditë krijohen kolona tepër të gjata të automjeteve përgjatë gjithë kësaj pjese të ngushtë dhe të vjetër të kësaj rruge, e që paraqet damarin kryesor për lidhje të njerëzve dhe mallrave midis Rrafshit të Dukagjinit dhe Rrafshit të Kosovës me Prishtinën, kryeqytetin e vendit, e deri tek qytetet tjera të cilat në çdo vend të botës janë të lidhura me rrjete moderne rrugore, pa të cilat asnjë shtet nuk mund të zhvillohet dhe as të ecë përpara ekonomikisht.

Kosova, për fat të keq, edhe në rrafshin e segmentit rrugor, ende është një “zorrë çorrë” në Ballkanin perëndimor, fakt ky i cili investitorët e huaj i bën të mos vijnë kurrë të investojnë në projekte të mëdha në Kosovë..!?

Mbase, sikur më rezulton, se aktorët të cilët trevën e Rugovës dhe rrugën e saj kryesore e kanë injoruar dhe degraduar me qëllim, madje në shumë aspekte, janë të njëjtit ata të cilët autostradën e Dukagjinit e kanë vendosur “ad-acta”, mbase Tatari e marrtë vesh, se për çfarë motivesh dhe shkaqesh e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë diskriminim ndaj Dukagjinit dhe trevës së Rugovës..!?

Mos e harroni faktin se banorëve të trevës së Rugovës, durimit të tyre i ka ardhur fundi..!?

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Letonia kërkon që Ukrainës t’i jepen më shumë sisteme HIMARS

Story i radhës

Presidenti i ri vendit, Yuri Kim uron Begajn: Mezi presim të punojmë së bashku

Të fundit nga