“Një krizë humanitare me përmasa epike”. Kështu e përkufizon qeveria pakistaneze situatën në vend duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas shirave të musonit dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar 982 të vdekur deri më sot.
Sipas të dhënave të fundit nga Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA), 1,456 të tjerë janë plagosur.
Mes viktimave janë 343 fëmijë. Balochistani, i shkëputur nga pjesa tjetër e vendit pas shembjes së urës kryesore hekurudhore dhe Sindhi janë dy rajonet më të prekura. Këtë të fundit e ka vizituar kryeministri i ri Shehbaz Sharif, raportojnë mediat lokale, për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.
Në 24 orët e fundit 69 persona kanë humbur dhe 113 të tjerë janë plagosur, ndërsa mijëra të tjerë janë zhvendosur në pjesë të ndryshme të vendit.
Gjithashtu janë dëmtuar plotësisht 8489 banesa. Që nga 14 qershori, numri i banesave të dëmtuara plotësisht dhe pjesërisht ka arritur në 6,82,139.
Corriere della Sera, Sky News dhe media të tjera ndërkombëtare kanë publikuar një video teksa shihet një hotel i madh që fundoset si pasojë e shirave të dendur.
Sipas Departamentit Meteorologjik të Pakistanit, gjatë orëve të ardhshme priten stuhi të forta në disa pjesë të vendit. Aktivitetet e shpëtimit dhe të ndihmës janë ende në vijim në zonat e prekura nga përmbytjet në vend.