2
Shkup, 7 dhjetor – Me gëzof ngjyrë kafe dhe me lara, një specie e veçantë e maces së quajtur Rrëqebulli i Ballkanit po shihet gjithnjë e më rrallë në malet e këtij rajoni, raporton Radio Evropa e Lirë.
Me më pak se 40 individë të mbetur kësaj specie, rrëqebulli ka habitat malet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Që nga viti 2015, ai është listuar si i rrezikuar në mënyrë kritike, një kategori përpara zhdukjes.
Të shqetësuar nga numri gjithnjë e më i vogël, organizatat për ruajtjen e biodiversitetit në rajon dhe Evropë kanë ngritur alarm të menjëhershëm për të ruajtur kafshën “që po zhduket para syve”.
Në një raport të publikuar më 21 nëntor, organizata mjedisore “EuroNatur”, me bazë në Gjermani kritikon shtetet ballkanike për mosveprim në mbrojtje të biodiversitetit dhe në disa raste dëmtim të qëllimshëm të tij.
Arsyeve kryesore për tkurrjen e numrit të rrëqebujve, sipas raportit, u prin gjuetia e paligjshme, shkaku kryesor i vrasjes së këtyre kafshëve në dy dekadat e fundit.
Arsye tjetër është shkatërrimi i habitatit nga shpyllëzimi dhe zbatimi i dobët i ligjeve të mbrojtjes.
Në Kosovë, sipas organizatës “Era Group” që bën monitorimin e kësaj kafshe, rrëqebujt “numërohen në gishta” si dhe janë hasur pas shumë vitesh monitorim me kamera të pyllit.
“Nga viti 2014 e deri më sot janë numëruar vetëm dy individë. Një në Bjeshkët e Nemuna e tjetri në Sharr”, tregon për Radion Evropa e Lirë ambientalisti Fatos Lajçi nga ERA.
Sipas aktivistëve ambientalistë, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje domethënëse në mbrojtjen e kësaj kafshe në mjedis, duke bërë që të ndihen pasojat.
“Natyra e ka mekanizmin e vet për t’i mbajtur gjërat në ekuilibër. Dhe sigurisht zhdukja e kësaj shtaze nënkupton varfëri biologjike dhe diversitet biologjik të cunguar”, thotë Lajçi.
Ushqimi kryesor i rrëqebullit janë kaprojtë dhe dhitë e egra.
“Nëse në një pyll prej 2.000 hektarësh do të kishim 1.000 kaproj, dëmi në pyje dhe bimësi nga ana e kaprojve do të ishte shkatërrues për natyrën”, shpjegon tutje ai.
Ndonëse i mbrojtur me ligj në Kosovë, nuk ka të dhëna apo studime institucionale në lidhje me këtë kafshë.
Ministria e Mjedisit e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me veprimet konkrete që janë ndërmarrë për mbrojtjen e kësaj kafshe, apo habitatit të saj.
Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Sustainability Leadership Kosova (SLK), mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë tokë pyje apo nga 2 deri në 3.5 hektarë në ditë.
Probleme të ngjashme me ruajtjen e rrëqebullit, sipas Euronatur, e përcjellin edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë.
“Asnjë nga vendet [me habitat të rrëqebullit] nuk kanë miratuar plan kombëtar të veprimit [për mbrojtjen e rrëqebullit] derisa një strategji ndërkufitare e konservimit po ashtu mungon”, thuhet në raport.
Sipas Lajçit, përpjekjet e organizatave për konservim, ndonëse të mëdha “nuk mund të jenë efikase pa respektim të ligjeve të mbrojtjes së natyrës”.
“Kjo na bën të ndihemi tepër të vetmuar në mbrojtjen e kësaj specieje e cila po zhduket para syve tanë”, thotë Lajçi.
“Zogjtë e hekurt” që rrezikojnë zogjtë e egër të Shqipërisë
Megjithatë, Rrëqebulli Ballkanik nuk është i vetmi lloj që përballet me rrezikun e zhdukjes në Ballkan.
Skaj lumit Vjosa dhe Lagunës së Nartës, peizazhe natyrore të njohura në Shqipëri, po përgatitet një projekt i madh infrastrukturor.
Aeroporti i Vlorës, i treti në Shqipëri, sipas Qeverisë së Shqipërisë parashihet të nisë fluturimet më 2025.
Ky aeroport që nisi të ndërtohet më 2021, është bërë një pikë e konfliktit midis organizatave mjedisore dhe Qeverisë, pasi gjendet në mes të një peizazhi natyror të mbrojtur.
Peizazhi Pishë Poro-Nartë është shtëpi e më shumë se 200 llojeve të shpendëve, dhjetëra prej tyre të mbrojtura ndërkombëtarisht, që sipas organizatave mjedisore mund të rrezikohen seriozisht nga ndërtimi i aeroportit.
Më 2022, Qeveria shqiptare ndryshoi kufijtë e zonës së mbrojtur, duke përjashtuar 310 hektarë ku përfshihet zona e ndërtimit te aeroportit.
“Pra, u krijua një zonë e mbrojtur me një vrimë në mes”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
“Ne shohim edhe humbje të popullatave të shpendëve, sidomos të atyre që kishin folenë në zonën ku po kryhen punimet për aeroportin”, thotë ai.
Organizata PPNEA ishte pjesë e një padie të ushtruar kundër institucioneve shqiptare që kërkon anulimin e projektit të aeroportit si dhe rikthimin e zonës së mbrojtur ashtu siç ishte.
Çështja është ende në gjykatë.
Sipas Vorpsit, megjithatë, rreziku për biodiversitetin nuk mbaron vetëm në zonën e hartës ku gjendet aeroporti.
“Dihet që ndërtimi i aeroportit nuk vjen si një infrastrukturë e vetme, por një zhvillim që do ta shkatërrojë çdo gjë natyrore që e rrethon, në një rreze të gjerë”, shton ai.
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në Shqipëri nuk u është përgjigjur pyetjeve për me kritikat që kanë të bëjnë me ndërtimin e aeroportit apo pretendimet e organizatave për parregullsi ligjore në këtë projekt.
Ndërkohë, në disa deklarime publike, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte mbrojtur projektin si një investim që do të sjellë turizëm të shtuar për Shqipërinë, si dhe punësim për zonën e Vlorës.
Ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit të aeroportit e kërkoi edhe organizata EuroNatur në raportin e saj të fundit.
“Ky hap është kritik për të parandaluar dëm të mëtejmë ambiental dhe për të rivlerësuar përshtatshmërinë e projektit me synimet e konservimit ambiental”, thuhet në rekomandimet e raportit.
Kritika lidhur me aeroportin pati edhe BE-ja në raportin vjetor të fundit për Shqipërinë pas një konstatimi paraprak se vlerësimi i ndikimit ambiental për këtë projekt, nuk ishte adekuat.
“Ndërtimi i Aeroportit të ri të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë… po vazhdon, pavarësisht kërkesës së Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës në dhjetor 2023 për të pezulluar punimet deri në kryerjen e një procedure të re dhe të mjaftueshme për zhvillimin e një raporti për vlerësimin e ndikimit ambiental”, thuhet në raport.
Shqipëria e ka nënshkruar Konventën e Bernës për ruajtjen e jetës së egër dhe habitateve natyrore në Evropë në vitin 1995 dhe është bërë anëtare e plotë e saj në vitin 1999.
Joni Vorpsi, po ashtu, thotë se procedurat për leje ndërtimore dhe vlerësim ambiental u kryen me nguti dhe pasi që ndërtimi veçse kishte filluar.
“Aeroporti erdhi si një premtim elektoral i kryeministrit, ndërkohë që çdo procedurë që u ndoq më pas ishte e parregullt dhe abuzive”, thotë ai.
BURIMI: zhurnal.mk