Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka organizuar aktivitetin për fillimin e punimeve në kuadër të projektit “Rrënimi i objekteve ku do të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se ka nisur rrënimi i objekteve të ndërtuara në pronën që i takon ministrisë.
“Sot kemi filluar rrënimin e objekteve të ndërtuara në pronën që i takon Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të pronës publike në funksion të qytetarëve dhe interesit shtetëror”, ka deklaruar Muja.
Ai ka bërë të ditur se në këtë hapësirë do të zhvillohet një projekt i ri institucional dhe urban.
“Në këtë hapësirë do të krijohet një zonë e gjelbërimi, si dhe do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, një projekt që i shërben zhvillimit institucional dhe urban të vendit tonë”, ka shtuar ai.
Muja ka theksuar se institucionet nuk do të bëjnë kompromis me pronën publike.
“Dua të jem shumë i qartë: të gjitha pronat që i takojnë shtetit do t’i kthehen shtetit. Nuk do të ketë kompromis me uzurpimet, ndërtimet pa të drejtë dhe shfrytëzimin e paligjshëm të pronës publike”, ka thënë ministri.
Ai ka shtuar se institucionet do të veprojnë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e pronës shtetërore.
Burimi: botasot.info


