“Rendi i ri botëror” me Rusinë dhe dominimi serb në Ballkan

February 2, 2022
min lexim

Në dekadat e ardhshme, sipas analizave të diplomatit amerikan, Henry Kissinger, që dalin nga vepra e tij “Rendi botëror”, SHBA mund të mos jetë e vetmja super-fuqi dhe rival i denjë në skenën globale, ku do t’i kishte konkurrentët e saj, Kinën dhe Rusinë, ndaj dhe shikuar nga ky aspekt, shqetësimet dhe rreziqet do të ishin shumë më të mëdha. Rusia si një rival në të ardhmen, pas zgjerimit eventual të hegjemonisë dhe shtrirjes në Evropën Lindore, do të synonte edhe Ballkanin, ku Serbia do të fitonte një rol dominues. Në anën tjetër, Turqia do të dëshironte, po ashtu, të ndërhyjë në Ballkan, por depërtimi i saj do të ishte i zbetë, për shkak të angazhimeve në Lindjen e Mesme, si lidership i Botës islame. Po qe se ndodhin këto parashikime, më së shumti do të pësonin shqiptarët. Kjo do të ishte një kthim pas të historisë tragjike, siç pohon edhe Ismail Kadare, se “Zoti i historisë në shek. 20 ishte në anën e serbëve, grekëve dhe bullgarëve”.

Vetëm në fund të shek. 20, shqiptarët arritën që në Ballkan të vendosin një përparim si komb, përballë fqinjëve serbë, grekë dhe bullgarë, përkundër faktit që nuk u sendërtua ideja e bashkimit kombëtar dhe pjesë të kombit mbetën në shtetet fqinje. Në këtë rrafsh, tërheqja eventuale e interesimit strategjik të SHBA-së në Ballkan, në të ardhmen do të ishte me pasoja tragjike për shqiptarët, ku do t’u lihej një hapësirë më e madhe për veprim të Rusisë dhe Kinës në këtë rajon. Dalja në sipërfaqe e tyre si super-fuqi, në njërën anë, dhe, në tjetrën, mungesa eventuale e një lidershipi të fuqishëm, siç është SHBA, do të bënte përshkallëzimin e rreziqeve dhe konflikteve luftarake në Ballkan që do të sillte shumë vuajtje për popujt e vegjël dhe do të shkaktohej një kaos i vërtetë, me dimensione të paparashikueshme.

PËRPLASJE MES PERËNDIMIT DHE LINDJES

Henry Kissinger, njëri ndër diplomatët brilant e më karizmatikë të shekullit 20, në veprën e tij “Rendi Botëror”, shkruan se çdo perandori lind, jeton dhe vdes; se ka rritje dhe rënie. Ai ka piketuar në këtë vepër se simptomat e rënies së botës perëndimore kanë filluar para gjysmës së shekullit 20. Po ashtu, edhe SHBA, si superfuqi, si polic i rendit botëror, me demokraci më të vjetër, është duke humbur kohezionin dhe primatin, duke u kthyer, izoluar dhe tërhequr nga skena globale.

Në të ardhmen, siç shkruan diplomati amerikan, nuk do të ketë një lidership, polic i rendit botëror, sikur që ishte SHBA, por do të ketë një konkurrencë rivalësh dhe, njëherësh, do të ketë një fuqi globale, si Kina, Rusia, India, por edhe Turqia, Brazili, Indonezia etj., si fuqi rajonale. Sipas tij, në dekadat e ardhshme do të ketë përplasje mes dy poleve: Perëndimit dhe Lindjes; nga njëra anë e ideologjive totalitare, despotike, diktatoriale dhe, në anën tjetër, ajo e liberal-demokratëve.

Fuqitë globale, si Kina dhe Rusia, në të ardhmen do të luftojnë për kërcënimin dhe shembjen e liberalizmit të botës perëndimore. Moska dhe Pekini mund të lidhin një traktat, sepse, përkundër ideologjive të ngjashme, nuk kanë pasur miqësi mes tyre. Këto dy fuqi globale, me regjime autoritare dhe diktatoriale, do të përpiqen ta zënë vendin e SHBA-së si superfuqi, kështu që rendi i ri botëror do të jetë në rrezik dhe shumë shtete në botë do të qeverisen nga sisteme totalitare dhe autoritare prej despotësh dhe tiranësh.

* * *

Sipas disa analistëve dhe studiuesve, plani i Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën, si agjendë dhe impakt politik, përfundimisht edhe si instrument që mund të jetë me efekt domino në Evropën Lindore, ndërsa Pekini si fuqi e dytë ekonomike, pas SHBA-së, nëpërmjet “rrugës së mëndafshit”, synon ekspansionin ekonomik dhe gjeostrategjik, ushtarak e politik në tërë globin. Në Lindjen e Mesme, shtetet e Botës islame, shtetet e Amerikës Latine dhe Afrikë, më të popullarizuar janë Kina dhe Rusia. Në shumë shtete të botës islame, me konfliktin izraelit-palestinez, luftërat në Afganistan dhe Irak, është shtuar disponimi anti-amerikan, ndërsa Kina ka fituar reputacion të lakmueshëm. Një ndër arsyet se pse në Lindjen e Mesme dhe Botën Islame, Kina konfuçiane është më dashamirëse dhe më e popullarizuar, është fakti se këto dy qytetërime, ajo e lindjes dhe orientale, nuk kanë pasur konflikte lufte, sikurse në botën e krishterë perëndimore. Duhet përmendur një frazë të një diplomati iranian, i cili thotë se qytetërimet e para lindën në Lindje, derisa Evropa ishte në fazë fillestare. Lindja nuk do të ketë nevojë për Perëndimin, përkundrazi, Perëndimi do të ketë nevojë për Lindjen, njëjtë si në epokën e mesjetës.

BOTA MES DEMOKRACISË DHE TIRANISË

SHBA si një super-fuqi dhe lidership, ka mbajtur ekuilibër dhe kontroll mbi paqen në botë. Në fund të shek. 20, ajo e sfidoi Perandorinë e Kuqe, Bashkimin Sovjetik. Pas mbarimit të Luftës së ftohtë, SHBA mbeti e vetmja super-fuqi në tërë rruzullin tokësor. Gjatë dy dekadave të para të shekullit 21, SHBA ishte në luftë me Irakun dhe Afganistanin. Kina duke bërë “bum” ekonomik, u bë rival serioz i SHBA-së, duke shkaktuar shenjat e para të rënies së saj. Largimi i saj, dha shans për përhapjen e hegjemonisë së dy fuqive të tjera të mëdha globale, të Kinës dhe Rusisë. Kina dhe Moska presin që në të ardhmen SHBA-ja t’i largojë bazat e saj nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Oqeani paqësor.

Sipas Putinit, nëse SHBA do të largohej edhe nga Evropa, ajo s’do të ishte më një super-fuqi, ndërsa Evropa do të shndërrohej në një provincë dhe më lehtë do të mund të ktheheshin ish-shtetet e kampit komunist dhe Rusia do të zgjerohej në veri, në shtetet skandinave. Evropa nuk ka gjeostrategji ushtarake përballë Rusisë. Shumë analistë tregojnë se Evropa, në tri dekadat e fundit, nuk arriti t’i përmbush e t’i realizojë strategjitë gjeopolitike dhe ideologjike, konform synimeve të etërve të tyre që ajo të bëhet vërtet një kontinent i shteteve të bashkuara evropiane.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lirohet me kusht, pas arrestimit nën akuzat për përdhunim

Story i radhës

Vanhoutte: Ideja për një njësi zgjedhore nuk është e mirë

Të fundit nga

ShkoLartë