Regjisori i njohur amerikan Michael Mann është plagosur aksidentalisht me armë zjarri në një poligon qitjeje në Los Angeles, të shtunën.
Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesja e tij, e cila bëri të ditur se arma u shkreh pa dashje ndërsa ndodhej ende në këllëf, duke i shkaktuar regjisorit një plagë sipërfaqësore në këmbë.
“Një armë u shkreh aksidentalisht ndërsa ndodhej në këllëf, duke i shkaktuar regjisorit një plagë sipërfaqësore. Michael Mann mori ndihmën e parë dhe pritet të dalë nga spitali”, deklaroi përfaqësuesja e tij.
Sipas mediave amerikane, përfshirë TMZ dhe Los Angeles Times, 83-vjeçari u vetëplagos në këmbë. Policia e Los Angelesit konfirmoi se incidenti ndodhi rreth orës 16:00, sipas kohës lokale, ndërsa i plagosuri u transportua në një spital aty pranë në gjendje të qëndrueshme.
Një zëdhënës i policisë e cilësoi ngjarjen si aksidentale.
Michael Mann është një nga emrat e njohur të kinematografisë amerikane, veçanërisht për filmat me tematikë kriminale dhe gangsterësh. Ndër veprat e tij më të njohura janë “The Last of the Mohicans” (1992), “Heat” (1995) dhe “Collateral” (2004).
Sipas njerëzve të afërt me të, regjisori ka përvojë të gjatë në qitje.
Burimi: botasot.info
