Pothuajse gjysmë milioni njerëz vlerësohet se vdesin çdo vit nga shkaqe që lidhen me nxehtësinë ekstreme.
Zjarret shkatërruese në Greqi dhe në shumë rajone të botës, së bashku me valët e të nxehtit, thatësirat, mungesat e ujit dhe reshjet ekstreme, nuk janë më fenomene të izoluara. Ato janë pjesë e një realiteti të ri klimatik, ku ndryshimet klimatike luajnë një rol kryesor.
Kështu shprehet Eleni Myrivili, Drejtore Globale për Nxehtësinë në Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).
“Është e qartë se ndryshimet klimatike qëndrojnë pas të gjitha këtyre fenomeneve. Kemi hyrë tashmë në një regjim të ri klimatik, ku nxehtësia ekstreme ndodh më shpesh, zgjat më shumë dhe shfaqet më herët gjatë vitit”, thotë Myrivili.
Sipas saj, temperaturat e larta po ndikojnë në çdo sistem kritik: nga furnizimi me ujë dhe bujqësia, te energjia, infrastruktura dhe ekonomia.
Rreth 2.4 miliardë punëtorë, ose më shumë se 70% e fuqisë punëtore globale, ekspozohen çdo vit ndaj nxehtësisë ekstreme, duke rrezikuar shëndetin e tyre. Ndërkohë, ndryshimet klimatike kanë ulur tashmë prodhimin bujqësor global me rreth 20% krahasuar me vitet 1960.
Myrivili, e cila mori detyrën në OKB në mars 2023, thekson nevojën për masa konkrete për t’u përshtatur me realitetin e ri klimatik.
“Ne kemi nevojë për qytete me më shumë gjelbërim, më shumë hije, ndërtesa që qëndrojnë të freskëta dhe një dizajn urban të përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike. Këto nuk janë më luks, por infrastrukturë thelbësore”, shprehet ajo.
Sipas saj, financimi për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike mbetet shumë poshtë nevojave, ndërsa pjesa më e madhe e investimeve duhet të shkojë drejt parandalimit.
Zjarret e mëdha nuk janë më një problem vetëm për Greqinë dhe Mesdheun. Sipas Myrivilit, fenomene të tilla po shfaqen edhe në rajone si Siberia dhe Kanadaja.
“Ne i trajtojmë zjarret si fenomene të izoluara, sikur të mos jenë pjesë e një realiteti të ri. Pjesa më e madhe e shpenzimeve duhet të shkojë për parandalimin”, thotë ajo.
Ndërkohë, qyteti i Parisit ka zhvilluar një simulim për një skenar me temperatura deri në 50 gradë Celsius. Kjo metodologji pritet të përdoret edhe në 20 qytete të tjera në mbarë botën, përfshirë Athinën, Nju Jorkun, Londrën, Barcelonën dhe Melburnin.
“Shqetësimi im është se gjithçka që po bëjmë është shumë e vogël në krahasim me shpejtësinë me të cilën po zhvillohen këto fenomene”, përfundon Myrivili.
Burimi: botasot.info


