Dy operacione policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja” kanë përfunduar me arrestimin e dy personave në Elbasan.
Në kuadër të operacionit “Last Fire”, policia bëri ndalimin me iniciativë të 43-vjeçarit Ervis Kuka banues në Elbasan, pasi dyshohet se më dje (7 gusht), rreth orës 01:00, ka djegur me benzinë, një automjet në përdorim nga një 26-vjeçar, banues në Elbasan.
Nga hetimet e mëtejshme, 43-vjeçari Kuka dyshohet gjithashtu se është autor i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të shtetasit E. H., ngjarje e ndodhur më 28 qershor 2026.
Ndërkohë në kuadër të operacionit “Mbikëqyrja”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe arrestuan 32-vjeçarin Dervish Rusta banues në Elbasan. Ai u ndalua në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
32-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Arma e zjarrit, municioni dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi:
Finalizohen nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, dy operacione policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”.
Zbardhen dy raste të djegies së qëllimshme të automjeteve, identifikohet dhe vihet në pranga 43-vjeçari.
Qarkullonte me armë zjarri pistoletë me vete, me municion luftarak dhe lëndë narkotike kokainë, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari.
Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, si dhe në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses dy operacionet policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”.
* Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Fire”, si rezultat i veprimeve të kryera dhe i hetimeve të thelluara, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:
Ervis Kuka 43 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas dyshohet se më datë 07.08.2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse (benzinë), automjetin në përdorim nga shtetasi L. D., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore, shtetasi Ervis Kuka dyshohet se është autor edhe i djegies së dy automjeteve, në pronësi të shtetasit E. H., më datë 28.06.2026.
* Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mbikëqyrja”, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:
Dervish Rusta 32 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi Dervish Rusta u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arma e zjarrit, municioni luftarak dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Burimi: botasot.info


