Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski pret që Komisioni Evropian ta njohë përparimin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe të sigurojë edhe 75 milionë euro shtesë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, transmeton TV21.
Ai paralajmëroi gjithashtu se qytetarët e Maqedonisë së Veriut së shpejti mund t’i përdorin shërbimet e telekomunikacionit në vendet e Bashkimit Evropian pa kosto shtesë të roamingut.
Me rastin e mbërritjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Mickoski theksoi se Qeveria vazhdimisht po i përmbush detyrimet reformuese, duke nënvizuar se çështjet dypalëshe nuk janë pjesë e Agjendës së Reformave.
“Ne nuk përmbushim çështje dypalëshe, por gjithçka që lidhet me sistemin e bazuar në merita e përmbushim. Sot pres që e gjithë kjo të njihet nga Komisioni Evropian”, deklaroi Mickoski.
75 milionë eurot shtesë paraqesin një rritje prej 10 për qind të shumës prej 750 milionë eurosh, e cila tashmë është paraparë për vendin në kuadër të Planit të Rritjes. Megjithatë, Maqedonia e Veriut do të duhet të përmbushë edhe detyrime shtesë.
Sa i përket heqjes së roamingut, kryeministri theksoi se Maqedonia është vendi i parë në rajon që ka përfunduar pjesën teknike dhe formale për t’iu bashkuar modelit evropian “Roam Like at Home“.
Mickoski mbetet në qëndrimin se nuk do të ketë ndryshim të pozicionit të Qeverisë lidhur me Ndryshimet Kushtetuese. Sipas tij, prioritet duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për Planin e Veprimit për Pakicat, për të cilin Qeveria tashmë ka dorëzuar një propozim.
Mickoski gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet ta nënvlerësojë potencialin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit prej shumë kohësh presin anëtarësimin.
“Ballkani Perëndimor është porta e Evropës dhe është pjesë e Evropës. Qytetarët tanë janë vërtet të zhgënjyer sepse kanë pritur tepër gjatë në oborrin e saj. Më në fund, dëshirojmë ta meritojmë vendin tonë në tryezën e përbashkët, bazuar në parimin e meritave”, theksoi Mickoski.
Në fokus të samitit të sotëm në Bruksel janë përshpejtimi i procesit të zgjerimit, zbatimi i reformave, integrimi gradual i rajonit në tregun e përbashkët evropian, si dhe forcimi i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë.
Burimi:TV21


