Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka hetuar 61 raste të detyrimit dhe 22 raste të fajdes. Kjo dukuri sipas njohësve të sigurisë dhe ish-policëve mund të ulet nëse bashkëpunohet më shumë me viktimat.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera të drejtësisë këtë vit duket se i kanë dhënë prioritet hetimit të veprave penale të detyrimit dhe fajdesë.
Ndonëse nuk ka përfunduar akoma, viti numri i statistikave që Policia ia ka dhënë RTV Dukagjinit nuk është dhe aq i vogël.
Sipas këtyre të dhënave gjatë këtij viti Policia ka regjistruar 61 raste të detyrimit dhe 22 raste të fajdesë.
Policia ka pasur mjaft punë për këto vepra penale sidomos në rajonin e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë në atë qytet, tha se sekuestrimet që ndërlidhën me këto vepra, kapin vlera milionëshe.
“Prokuroria Themelore në Pejë gjatë dy viteve të fundit ka kryer disa aksione bashkë më Policinë e Kosovës kundër veprave penale fajdeja dhe detyrimi dhe kemi pasur dhjetra persona të arrestuar, njëkohësisht për të njëjtit janë parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Po ashtu, prokurori i shtetit ka urdhëruar të sekuestrohen prona të ndryshme, shtëpi, banesa, para kesh, automjete dhe mbi 30 hektar tokë, të cilat kapin vlerat milionshe”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë.
Lavde për punën që po kryejnë këto institucione ka ish-hetuesi policor, Rrahman Sylejmani i cili sugjeron që viktimat e fajdesë të bashkëpunojnë më shumë me shtetin.
“Tash edhe Policia ka filluar të jetë më efikase por në të njëjtën mënyrë kanë fillu edhe vet viktimat që po bien pre e këtij fenomeni të bashkëpunojnë, sepse roli kyç është i tyre”, ish-hetues i Policisë.
Te mungesa e bashkëpunimit të viktimës me Policinë po e vë theksin edhe ish-koloneli i PK-së, Refki Morina.
“Vepra penale e fajdes të cilat janë të vështira të hetohen për shkak se nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm viktima me institucionet relevante. Prandaj, masat e përgjithshme të cilat ndërmerren janë forcimi i sistemit ligjor, rritja dhe edukimi financiar si dhe përkrahja e viktimave”, ka deklaruar Morina.
Muajt e fundit Policia e Kosovës ka publikuar edhe pamje nga aksionet kundër fajdesë dhe detyrimit dhe për shkak të pjesëmarrjes së Njësive elite të Policisë, këto raste konsiderohen edhe rrezikshmëri të lartë.
Burimi: botasot.info