Rama me dyfytyrësi apo me shumëfytyrësi

March 17, 2022
min lexim

Në fillim të viteve ’90, Rama mendonte dhe ëndërronte të futej në politikë, sepse ajo i dukej zeja e tij më e parapëlqyer. Thuhet sa asokohe ai pati synuar të krijonte edhe një parti politike, por nuk e kam informacionin e duhur se si është e vërteta. Ishte koha kur pati nisur lëvizja dhjetoriste për vendosjen e demokracisë dhe kur më 12 dhjetor 1990 u krijua partia demokratike. Siç kanë qarkulluar fjalët, Rama kishte pasë synuar të hynte në këtë parti, të dalë nga lëvizja dhjetoriste, me qëllim që të zinte diku majat në drejtimin e saj, një lëvizje kjo, e cila, me kalimin e viteve, degjeneroi në një demoshëmti dhjetoriste. Thuhet se nuk e pranuan në këtë parti, megjithëse e vërteta nuk është ndriçuar përfundimisht. Rama i përkiste sërës së intelektualëve, të cilët, për të çarë drejt politikës dhe për t’u bërë të besueshëm në radhët e popullit të varfëruar në maksimum nga diktatura kriminale komuniste enverhoxhiste,  duhej ta shanin dhe ta telendisnin komunizmin enverian me rrënjë e me degë. Me sa duket, Rama kishte parasysh Fjalën e Ramiz Alisë të nëntorit të vitit 1989 në Byronë Politike, ku ai pati deklaruar:

“Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 22 korrik 2018).

Këtë orientim të Ramiz Alisë, Rama e pati si yll karvani në përpjekjet e tij të ethshme për të çarë në politikë. Prandaj tre vjet pas këtij orientimi, Rama do të shpërthente mllefin e vet kundër komunizmit:

“Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë” (Citohet sipas: Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 7).

Pra, komunizmin në Shqipëri Rama e demaskon hapur për degjenerimin që i bëri luftës kundër pushtuesve të huaj në luftë vëllavrasëse.

Në të njëjtën kohë, Rama e quan kriminale veprën e partisë së punës pas luftës. Ai deklaron :

“Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë, t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin” (po aty).

Në të njëjtën kohë, Rama zhvesh shpatën dhe i turret me rreptësi partisë socialiste, për të cilën thotë:

“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme” (po aty).

       Këto fjalë të rrepta të Ramës kundër komunizmit rezultuan një gënjeshtër e kulluar, sepse në qenien e tij fshihej një mashtrues me damkë Ata që e patën lexuar me vëmendje librin e sipërcituar të Ramës dhe të Klosit, pavarësisht bindjeve të tyre politike, në nëntor të vitit 2005, kur Rama erdhi në krye të partisë socialiste, patën menduar dhe patën shpresuar se ai do bëhej kryemotori i denoncimit të origjinës dhe të historisë së saj, do të bëhej figura kryesore politike për dekomunistizimin me ligj të shoqërisë shqiptare. Por Rama jo vetëm që s’e bëri një gjë të tillë, por, përkundrazi, atë parti, si trashëgimtare besnike të partisë së punës, e armatosi edhe më shumë me ide neokomuniste, thelbin e të cilave e përbën degjenerimi i pluralizmitpolitik, krijimi i një sistemi njëpartiak dhe përjetësimi i pushtetit, sipas shembullit të kryeshovinistit Putin në Rusinë neocariste.

       Por, për habinë e të gjithëve, Rama, gati tridhjetë vjet më vonë, në Kuvendin e Shqipërisë, lëshon një deklaratë befasuese për komunizmin. Ai shprehet :

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”. Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë një debati në parlament me disa deputetë të “opozitës”…Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë  -se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia, na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”. Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, apo simpatizant i komunizmit sot? (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Komunizmi dhe komunistët në anën e duhur të historisë!???”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 03 gusht 2020).

Pas kësaj deklarate prej neokomunisti të thekur, vetvetiu arrihet në përfundimin se Rama, duke e vlerësuar komunizmin si ideologji “në anën e duhur të historisë”,  mbështet plotësisht shtyllat që përbëjnë themelet e kësaj ideologjie të mallkuar. Këto shtylla janë:

Së pari, marrja dhe mbajtja e pushtetit me dhunë, jo përmes garës me vote të lirë të formacioneve politike, çka është e pamundur, sepse komunizmi nuk e lejon pluralizmin politik.

Së dyti, diktatura e proletariatit, e cila, faktikisht s’është gjë tjetër, veçse diktaturë e egër e partisë komuniste. Shprehja diktaturë e proletariatit kësaj partie i duhetsi perde tymi për të mashtruar popullin e thjeshtë, me qëllim që të fshehë diktaturën  e saj.

Së treti, lufta e klasave, të cilën partia komuniste e shndërron në një mjet sa të fuqishëm, aq edhe të përbindshëm për shfarosjen e kundërshtarëve politikë dhe për përçarjen e popullit deri në përmasa tragjike. Lufta e klasave çon pashmangshmërisht në depersonalizimin e plotë të indivitit, i cili vjen e shndërrohet ca nga ca në një qenie të robotizuar.

Së katërti, zhdukja e fesë, si një institucion shpirtëror i njeriut që lidhet kryekëput me jetën e tij personale. Me zhdukjen e fesë, partia komuniste synon çrrënjosjen e kultit të Hyjnisë nga shpirti i njerëzve, me qëllim zëvendësimin e tij me kultin e individit të kryediktatorit.

Në romanin e rrallë në historinë e letërsisë shqipe, me titull “Diktatori në kryq”, të prezantuar në panairin e librit të vitit 2019, shkrimtarja e shquar Mira Meksi ka hyrë në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i tij të hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra nga veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij për ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes, çka çon në radhët e popullit në shpërthimin e shfrenuar të servilizmit të neveritshëm ndaj tij. Prandaj ai mundohet të futet në indin e jetës së vendit nëpërmjet pushtimit të çdo qoshke të tij. Kësisoj ai kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që ata duhet të vendosin shenjën e barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në kuptimin që nëse nuk ekziston diktatori, nuk ka më shtet. Kur diktatori synon që, përmes kultit të individit, të shndërrohet në Hyjni, ai arrin disa pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë kundërshtarët politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër tij, duke ua bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në psikologjinë e njerëzve diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon statusin e Hyjnisë, çka i siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në diskutim pushtetin e diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet e natyrës. Nën presionin e furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të popullit zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka tiparet e Hyjnisë. Një rol të rëndësishëm në nxitjen e histerisë për himnizimin  e kultit të diktorit, luajnë mjetet e informimit masiv, letërsia artistike dhe artet e bukura. Kudo ekspozohen portretet e diktatorit, piktorët, skulptorët, kompozitorët, shkrimtarët dhe poetët krijonin vepra, në të cilat himnizohet figura e tij me aftësi hyjnore. Mes poetëve shqiptarë pati rënë në sy Ismail Kadarea, i cili “aftësitë hyjnore” të kryediktatorit Enver Hoxha i pati përjetësuar në poezinë me titull “Kur fletEnveri”. Aty lexojmë këto vargje qesharake me një kundërmim servilizmi të pështirë: “Bota pavarësinë më të rrallë se uraniumi e ka. / Ndaj kur një fjalë e gjallë për të / Çan mes sarkofagësh të vdekjes, / Një fjalë e gjallë për lirinë, / Bota vë veshin në përgjim. / Ndaj kur midis qiellit memorial të kësaj vjeshte / Fjalët e Enver Hoxhës ndeshin, / Bubullimat mënjanohen me nderim” (Citohet sipas: Milosao. Shtojcë e organit “Gazeta Shqiptare”. 27 qershor 2004, f. 13).

Regjisori rus i filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:

“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”. Dhe, për pasojë, – vazhdon regjisori, – “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve” (Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”. Faqja e internetit “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).

Së pesti, zhdukja e pronës private, e cila ka për qëllim që mbarë popullin ta kthejë në argat të shtetit komunist. Praktika 45-vjeçare e diktaturës komuniste në vendin tonë vërtetoi më së miri se zhdukja e pronës private çon në rrënimin e ekonomisë së vendit dhe në varfërimin e pandalshën tëmbarë popullit, i cili në vitet ’80 arriti deri në atë shkallë mjerimi, saqë të kërcënohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit dhe diktaturën komuniste ta shikonte në dritën e syrit për kafshatën e gojës. Një popull i varfër i duhet së tepërmi kryediktatorit se e sundon shumë më lehtë.

Mirë që Rama u rokanis kokën lexuesve me propagandën e tij për komunizmin “në anën e duhur të historisë”, po pse nuk u thotë atyre as edhe një fjalë të vetme për pesë shtyllat e mësipërme? Se Rama mund të binte edhe në përsiatje: po pa ato pesë shtyllat, komunizmi, si ideologji, a është e mundur të mbijetojë?

Por më shumë se dy vjet pas kësaj piruete politike, së cilës publicisti i njohur Frank Shkrel ia nxjerr bojën paq, Rama e harron tërësisht deklaratën e mësipërme për komunizmin “në anën e duhur të historisë” dhe, në një mjedis të huaj diplomatik, komunizmin në Shqipëri e “zhvesh lakuriq”. Ja se si u shpreh ai në atë mjedis:

“Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës”(Citohet sipas: “Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rama nga Nju Jorku: Ngjarje me rëndësi historike. Më lini të dal jashtë skenarit dhe ta them  troç…”. Faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 shkurt 2022).

Tani lexuesit e nderuar, duke qenë në dijeni të këtyre lakadredhave politike të Ramës, vetvetiu nxjerrin përfundimin se ai vuan  nga çekuilibri mendor.

Me sa duket, Rama vuan nga çrregullime në mekanizmin mbrojtës të psikikës, që do të thotë se ai e ka humbur aftësinë për ta mbajtur veten larg përjetimeve të pakëndshme. Një çekuilibrim i tillë i psikikës në psikologji quhet çrregullim disociativ, çka do të thotë se individi nuk është i aftë t’i përballojë përjetimet e pakëndshme. Në latinisht fjala disociativ (dissociatio) do të thotë, siç u përmend më lart, çrregullim në mekanizmin mbrojtës të psikikës. Ky çrregullim  mund të jetë shkaktuar nga një traumë e rëndë emocionale, e pësuar sidomos në fëmjërinë e hershme, çka sjell si pasojë një sëmundje të rrallë psikike, gjatë së cilës individualiteti i njeriut sikur vjen e copëzohet dhe brenda qenies së tij menjëherë fillojnë të jetojnë dy, tre, katër apo edhe më shumë individë. Me këtë rast, në momente të caktuara, në qenien e individit bëhet një “ndërrim” – njëra pjesë e tij, si në një proces zinxhir, zëvendëson pjesën tjetër.Prandaj Rama, askushi i vitit 1992, mohon vetveten pas nëntorit të vitit 2005, pra, kur bëhet dikushi, kur vjen në krye të partisë socialiste. Egërsia e tij kundër komunizmit në vitin 1992, fashitet krejtësishtdhe, si kryetar i partisë socialiste, ai shndërrohet në një neokomunist të tërbuar, të etur tmerrësisht për pushtet personal. Kjo etje e papërmbajtur e shndërroi atë në një diktator shembullor brenda partisë, të cilën, me kalimin e viteve, e katandisi në një kope “bujkrobërish socialistë”, në një tufë kurrizshtuarish, pa kurrfarë dinjiteti personal. Domosdo që me qëndrime të tilla, pa bosht karakteri, Rama do të vinte te deklarata e vetvetishme në mbrojtje të komunizmit para deledeputetëve figurantë. Por, për ta shitur veten si antikomunist “të regjur” në sytë e botës perëndimore, në Nju Jork ai lëshoi deklaratën e mësipërme kundër komunizmit, duke shkelur mbi vetveten e vitit 1992 dhe mbi vetveten në Kuvend kur deklaroi se komunizmi na paska qenë “në anën e duhur të historisë”.

Pas këtyre deklaratave njëra më skandaloze se tjetra, lexuesi gjakftohtë rri e shtron pyetjen:

A ka fytyrë të vërtetë Rama dhe nëse ka, cila është ajo? Se deklaratat e mësipërme dëshmojnë shkoqur fare se Rama u dalluaka jo për dyfytyrësi, por për shumëfytyrësi?

Pikërishtshumëfytyrësia e tij të kujton një personazh tëshkrimtarit amerikan Rei Bredberi(RayDouglasBradbury -1920-2012). Ja çfarë shkruan ai për atë personazh:

“Atij i dukej sikur vetja i qe copëzuar, sikur i qe ndarë në disa pjesë dhe njëra pjesë qenkej e nxehtë prush, kurse tjetra e ftohtë akull, njëra delikate, e ëmbël, tjetra e egër, njëra emocionuese, tjetra e ftohtë gur. Dhe secila pjesë e “unit” të tij të copëzuar mundohej t’ia zhdukte farën pjesës tjetër”.

Me lakadredhat e tij të pafundme, karakteristike këto për një politikan, të zhveshur nga çdolloj morali, Rama, si një simbol i pastër i së keqes në vendin  tonë, të sjell në kujtesë fjalët aq kuptimplote të matematikanit, fizikanit, letrarit, filozofit dhe teologut francez Blez Paskal ( Blaise Pascal – 1623-1662), i cili shkruan:

“E keqja ka shumë fytyra, ndërkohë që e mira, mund të themi, ka vetëm një fytyrë”.

Në vazhdim të fjalës së tij në Nju Jork, të cituar më lart nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”, Rama theksoi:

“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë… Më lini ta nis, duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve: … Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë”.

Është e qartë si drita e diellit se sikur Ramën të mos e gërryente përbrenda orë e çast kompleksi i inferioritetit, ai nuk do të guxonte kurrë të lëshonte një deklaratë të tillë që ia nxjerr bojën keq. Kjo për arsye se mandati i përkohshëm i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nuk do të thotë absolutisht se vendi ynë paska “kapur qiellin me dorë”, sepse ky mandat është një ritual i zakoshëm për çdo vend tjetër kur i vjen radha, si anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por këtë mandat për vendin tonë Rama e thekson dhe e propagandon me të madhe në të gjitha udhëkryqet, sepe kërkon t’ia ngrejë sa më lart autoritetin vetvetes, se “nuk i thonë shaka” që mandati në fjalë përkon pikërisht me kohën kur ai, dhe jo dikush tjetër,është kryeqeveritari i Tiranës, çka, sipas mendjes së tij të mykur nga ethet e pushtetit, do të thotëse kjo “aritje e jashtëzakonshme” ëshë plotësisht “meritë” e tij personale!!!

Deklarata e Ramës të kujtonFrojdin (Sigmund Freud – 1856-1939), i cili thotë:

“Sa më imponues të mundohet të duket njeriu me paraqitjen e jashtme përmes fjalëve që thotë, aq më shumë demonë lëvrijnë brenda qenies së tij”.

Rasti Rama në pushtet që prej vitit 1998, një rast që ka lënë prapa edhe kryeshovinistin rus të ditëve tona Putin, i cili e gëzon kolltukun e kryediktatorit që prej marsit të vitit 2000, më kujton esenë me titull“E pse?!”të intelektualit të njohur nacionalist shqiptaro-australian Federik Radovani, të botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 21 shkurt 2022. Në atë ese ai shkruan:

“Një Burrë i dijtun nga Korça, që prej vitit 1955 jetonte në Shkodër, ishte shumë i njoftun me emnin Prof. Petro Fundo. Ai ka pasë thanë në 1985: “Diktator si Enver Hoxha, kushedi sa kohë sundojnë edhe pas vdekjes…”.

Pra, megjithëse kryediktatoriEnver Hoxha ka gati 37 vjet që ka ikur në amshim, prapëseprapëenverizmi nuk ka vdekur në asnjë mënyrë, nuk ka vdekur stili i qeverisjes  enveriste, mbartës i së cilës është Rama dhe turma e “bujkrobërve socialistë” që e ndjekin nga pas pa përtim. Deri kur do të vazhdojmë me këtë gjendje, o popull shqiptar? Mos vallë derisa Shqipëria të zbrazet tërësisht nga brezi i ri dhe brezi i mesëm dhe aty të mbeten vetëm mbi 600 mijë pensionistë, çka përbën vënien në jetë të strategjisë së kahershme të ortodoksisë serbosllave për shpërbërjen tërësore të kombit shqiptar, strategji që Rama po e zbaton si argat besnik i saj? Kjo strategji tmerrësisht armiqësore jo vetëm ndaj Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, i kishte rënë në syedhe eurodeputetes Doris Pak, e cila, në tetor të vitit 2015, pati deklaruar publikisht:

“Pashë shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj se ka një lidhje me situatën politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Marrë nga faqja e internetit “Gazeta Shqiptare”. 30 tetor 2015).

Feniks, Arizona

17 mars 2022

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

OBSH kërkon armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë

Story i radhës

Grubi: Ministrat e RMV-së kanë pagë më të ulët se kolegët në rajon

Të fundit nga

Camavinga jashtë për 2 ose 3 javë

Mesfushori pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e majtë! Një tjetër dëmtim për skuadrën tashmë të shkatërruar në dispozicion të Carlo Ancelottit. Mesfushori Eduardo Camavinga u largua nga fusha mbrëmjen e së
ShkoLartë