Qytetarët e Istogut kërkojnë ndihmën e shtetit pas vërshimeve

November 21, 2022
min lexim

Qytetarët e komunës së Istogut, gjatë ditës janë përballur me pasojat që shkaktuan reshjet e shumta të shiut një ditë më parë. Tek tregonin për dëmet që kanë pësuar, kërkuan edhe ndihmën e komunës dhe institucioneve të tjera. Në këtë komunë, mësimi nuk u zhvillua në disa shkolla e në një kopsht fëmijësh për shkak të gjendjes së rëndë të rrugëve.

Investimet që bëri në shtëpi, për gjatë një viti Bajram Zekajt nga fshati Mojstir i Istogut ia shkatërroi uji.

Reshjet atmosferike që nuk u ndalën gjatë tërë ditës së diel, bënë që uji t’i depërtojë brenda në tërë katin e parë të shtëpisë.

“Unë me ju thanë të drejtën kam punuar gjatë gjithë verës, vitin e kaluar bashkë me shoqen sivjet ashtu, me bjeshkë me bletë me baushtellë, me keramika i kemi shti 5 mijë euro këtu, krejt që i kam punuar që po shihet me kuzhinë me mobilje, me keramika, dmth për dy orë që ka ra shi ose 3 e ka bërë të veten, i ka prishur”, ka thënë Bajram Zekaj, banor i fshatit Mojstir.

Zekaj thotë se askush nga institucionet nuk i ka vizituar për të parë gjendjen, tek tregon se ky fshat nuk ka as kanalizim e as sistemin e ujit të pijshëm.

“Komuna si komune jep tendera gjithëkujt, vec shkel e shko për qe të merr shiu, dhe të merr në qafë si intereson as komunës, as shtetit as kërkujt”, ka shtuar Zekaj .

Dëme nga vërshimet, pësuan edhe disa familje të tjera në këtë fshat.

Madje disa banorëve të këtij fshati, për shkak të mungesës së asfaltimit të një pjesë të rrugës, ngecën me veturë, për çka u desh ndërhyrja me automjete të tjera.

“Këtu jemi 5 familje, kjo rrugë është e jona e përdorin edhe katuni, prej këtu e knej po e shihni edhe vetë cka kam me ju thanë. Kurrë kërkush të dera nuk na ka ardhur me na kqyr këtë rrugë, vetëm kur është puna te votat vijnë”, ka thënë Mersim Zekaj, banor i fshatit Mojstir.

Komuna e Istogut është njëra ndër komunat që është prekur më së shumti nga vërshimet, derisa me pasojat po merreshin edhe gjatë së hënës.

Pikërisht për shkak të gjendjes jo të mirë që janë rrugët e qytetit, mësimi u ndërpre gjatë së hënës në disa shkolla.

“Jemi duke e pastruar rrugën për nga gjimnazi, në mënyrë që neser të mund të zhvillojmë mësimin në gjendje të rregullt, dje pas takimit që kemi pasur me shtabin emergjentë në orët e pasditës kemi vendos që mësimi në gjimnazin “Haxhi Zeka”, në shkollën fillore të ulët “Bajram Curri”, në shkollën fillore të mesme të ulët “Ndre Mjeda” dhe në kopshtin “Gëzimi ynë”, që mësimi të mos vijojë sepse në rrugë ka pasur sasi të madhe të ujit, dhe nuk kemi dashur me rreziku ndonjë fëmijë”, ka thënë Ilir Ferati, kryetar i Komunës së Istogut.

Kryetari i Istogut tha se tashmë janë formuar komisionet, që do bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, dhe se dëme deri më tash ka pasur më së shumti në pjesën e infrastrukturës.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Në prag të Ditës së Alfabetit, shqetësime për përdhosjen e shqipes në Maqedoni

Story i radhës

Didier Deschamps tregon pse vendosi që të mos e zëvendësojë Benzeman

Të fundit nga

ShkoLartë