Qytetarë paguajnë avokatët e milionerave

min lexim

Rasti i Aktgjykimit të Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, n’a jep të kuptojmë dhe dyshojmë në « sinqeritetin » dhe arsyeshmërinë juridike të Ligjit mbi mbrojtjen juridike të të akuzuarve të Hagës. A thua, ligji në fjalë u dizajnua sipas « masës » së komandantëve, me pretekstin se në Hagë po mbrohet UÇK-ja !? A po keqpërdoret ky ligj, sepse në Hagë nuk mbrohet UÇK-ja, por po pastrohet ajo nga ata që e keqpërdorën.

Këte e vërteton edhe Aktgjykimi i shkallë së parë i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, e cila Haradinaj dhe Gucatin i shpalli fajtor duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim efektiv, për veprën penale ndërhyrje në drejtësi, respektivisht në mënyrë të kundërligjshme dhe të qëllimshme publikuan materiale të klasifikuara që ndërlidhen me proçeset gjyqësore të Hagës.

Ky Aktgjykim nuk ka të bëjë drejtëpërdrejtë me mbrojtjen e UÇK-ës, por janë vepra penale, të bëra nga papërgjegjësia individuale, prandaj edhe shtrohet pyetja se, kusht duhet t’ua paguajë avokatët, sepse deri tani buxheti i Kosovës ka paguar mbi një million euro për mbrojtjen e Haradinaj dhe Gucatit, kurse proçesi gjyqësor është larg për të përfunduar.

Ndër kushtet kryesore për pagimin e avokatëve, është që të akuzuarit duhet të dëshmojnë me dokumente se ata nuk kanë kushte financiare për avokat. Por, a është respektuar ky kusht?! Është për të dyshuar. E njejta çështje do të shtrohet edhe për të akuzuarit aktual të Hagës si dhe të tjerët që do të pasojnë, për të cilët supozohet se janë milionera, e në veçanti « Shtabi i Rognerit » dhe disa komandanta.

Si është e mundur që « Shtabi i Rognerit », krahu i luftës dhe disa të ashtuquajtur komandanta , pa asnjë ditë pune, u bënë milionerë, më të fuqishmit dhe të paprekshmit e Kosovës ?! Përgjigja është e thjeshtë, sepse këta milionera Kosovën e plaçkitën dy herë.

Herën e Parë, plaçkitën milionat e Mërgatës përmes « Fondit Vendlindja Thërret » duke futur në xhepa mbi 90% të këtij fondi, pa kurfar kontrolle institucionale, dollarët, markat dhe frangat, barteshin jashta sistemit bankar, si dhe një pjesë të « Fondit 3% », me të cilat privatizuan gjithçka mundën.

Herën e dytë, të njejtit, pas luftës erdhën në pushtet dhe përmes korrupcionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë të pamëshirshme plaçkitën pasuritë e Kosovës.

Është për të dyshuar, se të akuzuarit të cilët pretendojnë dhe deklarohen të pafajshëm për veprat për të cilat ngarkohen, të angazhojnë nga 4 – 5 avokat, honoraret e të cilëve janë të papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Mbase ata që angazhojnë një armatë të tërë avokatësh, mund t’a mbrojnë vetëm fajsinë, kurse pafajsia dhe pastërtia mund të mbrohet vetëm edhe me një avokat nga Kosova i çertifikuar për Tribunalin e Hagës.

Në kushte normale, avokatët paguhen nga shteti vetëm për raste sociale dhe ata me paga minimale, e jo për milionerët. Andaj, çfar borxhi kanë taksapauesit e Kosovës me ia paguar avokatët e të akuzuarve për vepra penale që nuk kanë të bëjnë me UÇK-në.

Prandaj, shteti i Kosovës duhet të jet i përgjegjshëm me paratë e taksapaguesve dhe mos të bie nën ndikimin e propagandës që financohet nga « Pronto mafia ».

Në këtë drejtim duhet përmendur rolin tejet negativ të disa televizione dhe gazetarëve që manipulojnë dhe mashtrojnë opinionin duke propaguar se, kinse në Hagë po mbrohet UÇK-ja, kurse në realiet të akuzuarit duhet t’a mbrojnë vetveten nga aktet e supozuara të kundërligjshme ndaj civilëve, kryesisht shqiptarë.

UshtriaÇlirimtare e Kosovës është krenaria e popullit, simboli i lirisë, i sakrificës , është ardhmëria dhe prosperiteti i Kosovës, mirëpo, fatkeqësisht që nga paslufta, sistematikisht është keqpërdorur dhe manipuluar me UÇK-ën për interesa personale, klanore dhe politike.

Prandaj, për të mirën e proçesit, duhet të ndalet propaganda e këtyre televizioneve dhe gazetarëve, sepse një ditë edhe këta mund të përfundojnë në Hagë për pengim apo ndërhyrje në proçeset gjyqësore.

Fajsia sikurse liria, nuk mund të blehen me para.

Bruksel, 4 Qershor 2022 Skender Musliu, jurist i diplomuar

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dy aksidente tragjike te “Pllastikat” në Shkup

Story i radhës

Dodik të martën takohet me Lavrovin, dhjetë ditë më vonë me Putinin

Të fundit nga