Qeveria miratoi sot tekstin e ri të harmonizuar të Propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili do të dërgohet në Kuvend. Me këtë, fillon një fazë e re, më serioze dhe më vendimtare në luftën kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit, reklamimit agresiv dhe keqpërdorimeve që prej vitesh po dëmtojnë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, fëmijët dhe familjet, njoftoi pasditen e sotme zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Ajo theksoi se fokusi i këtij ligji është i qartë: mbrojtja e fëmijëve, gjeneratave të reja dhe familjeve.
Sipas saj, për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit. Ndalohet reklamimi jashtë ambienteve afariste nëse qëllimi është nxitja e qytetarëve për të marrë pjesë në lojëra të fatit, ndërsa ndalohen edhe mesazhet që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo zgjidhjes së problemeve personale dhe sociale.
Gjithashtu, sqaroi Azizi, ndalohet reklamimi përmes personazheve të njohura dhe përmbajtjeve të drejtuara ndaj të miturve.
“Po dërgojmë një mesazh të qartë se bixhozi nuk guxon të normalizohet dhe as të paraqitet si stil jetese para të rinjve. Pika e dytë kyçe është mbrojtja e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve. Me ligjin parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit – kazino, klube automatësh dhe lojëra elektronike – të jenë të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat nuk do të lejohet vendosja e terminaleve elektronike video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit. Ky është një vendim institucional për t’i mbrojtur fëmijët nga ekspozimi i përditshëm ndaj bixhozit dhe varësive”, deklaroi Azizi.
Paralelisht, ajo theksoi se institucionet tashmë po ndërmarrin masa konkrete kundër bixhozit ilegal online.
Azizi bëri të ditur se deri më tani janë mbyllur 358 platforma të huaja ilegale online që organizonin në mënyrë të paligjshme lojëra të fatit në territorin e shtetit. Sipas saj, bëhet fjalë për platforma që funksiononin pa licencë, pa kontroll dhe pa asnjë mbrojtje për qytetarët.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të organizatorëve ilegalë për të hapur kanale dhe faqe të reja interneti, institucionet do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara dhe masa përkatëse ligjore. Kjo Qeveri që nga dita e parë nisi një luftë sistematike kundër industrisë që për vite me radhë u zgjerua pa kontroll. Qëllimi ynë është i qartë: krijimi i një sistemi të përgjegjshëm, transparent dhe të kontrolluar, me rregulla të qarta, siguri juridike dhe mbrojtje shumë më të madhe për qytetarët. Kjo është një betejë për të ardhmen e të rinjve, për sigurinë e familjeve dhe për dinjitetin e shoqërisë”, shtoi Azizi.
Burimi: alfax.mk


