Mariçiq ka deklaruar se nëse vërtet duam të vazhdojmë me shtetet që po negociojnë dhe të qëndrojmë me atë paketë, që të kemi mundësi të hyjmë deri në vitin 2030, ndryshimet kushtetuese janë pika e parë, vendimi i parë
Shkup, 10 shtator – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, në një intervistë ka deklaruar se në periudhën e ardhshme do të intensifikohet komunikimi me secilin deputet. Ai ka thënë se shumica parlamentare pret që në shtator-tetor të ndahen qartë dy blloqet politike, njëri është për anëtarësim sa më shpejt në BE dhe tjetri kundër anëtarësimit në BE dhe që beson se kemi kohë për të pritur. Sipas tij, pritja është një strategji që do ta zbrazë vendin tonë nga të rinjtë dhe që do të vrasë shpresën për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Mariçiq ka deklaruar se nëse vërtet duam të vazhdojmë me shtetet që po negociojnë dhe të qëndrojmë me atë paketë, që të kemi mundësi të hyjmë deri në vitin 2030, ndryshimet kushtetuese janë pika e parë, vendimi i parë. “Ne kemi bërë gjithçka, po bëjmë dhe do të bëjmë deri në afatin kohor për të kaluar këto ndryshime kushtetuese. Besoj se do t’ia dalim sepse opsioni tjetër është që të largohemi nga kjo pistë e shteteve që tashmë po negociojnë, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia dhe të qëndrojmë në një grup shtetesh që janë shumë larg negociatave. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin kandidat vitin e kaluar, Kosova është në një proces krejtësisht tjetër për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar vitin e kaluar. I kemi kaluar ato faza shumë kohë më parë”, thotë Mariçiq.
Zëvendëskryeministri është optimist se të gjithë deputetët në Kuvend do ta kuptojnë se në çfarë momenti të favorshëm është Maqedonia e Veriut, sepse ka sinjale të qarta se viti 2030 është afat real dhe i arritshëm, por kjo nuk do të thotë se i është dhënë ne të gjithë, kjo varet nga mënyra se si ne pozicionohemi. “Beteja jonë është të qëndrojmë në një paketë me Shqipërinë, të përshpejtojmë dhe të arrijmë ato vende që kanë negociuar prej 10 vitesh. Synimi ynë është që herën tjetër të hapet dera e anëtarësimit në BE, të jemi ne ata që do të hyjmë. Kjo varet vetëm nga ne për momentin dhe si do t’i kuptojmë detyrat tona dhe si do t’i kryejmë detyrat. Nuk ka të tjerë që do të na pengojnë të ecim përpara, vetëm ne me bllokadë të brendshme ose me mospërfundim të detyrave dhe mospërfundim të reformave mund ta vendosim veten në kategorinë e shteteve që kanë probleme serioze strukturore të brendshme”, theksoi Mariçiq.