Qeveria aprovon kërkesën për strehimin e gazetarëve të Afganistanit në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarjen e mjeteve buxhetore, për të strehuar në Kosovë për një periudhë dy vjeçare, pesë gazetarë që po ikin nga persekutimi në Afganistan.

Republika e Kosovës do t’iu siguroj të gjitha kushtet e strehimit, punës dhe kthimit për në vendlindje, sapo të krijohet siguri për kthimin e tyre në Afganistan.

Projekti për strehimin e gazetarëve afgan në Kosovë, bëhet në suazat e bashkëpunimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, si dhe përkrahjen nga Qeveria gjermane.

Ky projekt është në harmoni me qëndrimin e Republikës së Kosovës për solidarizim me të drejtën e pakontestueshme të gazetarëve për ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe të sigurt, si dhe në frymën e mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut.

Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve që do jenë përfitues të projektit, do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ky është projekti i dytë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës realizon për gazetarët të cilëve iu është cenuar jeta dhe siguria në vendin e tyre.

Strehim në kushte të njëjta ka ofruar edhe për gazetarë nga Ukraina, pas pushtimit nga Rusia, përmes programit “Gazetarët në Rezidencë –Kosova”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Story i mëparshëm

Alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës, reagon policia: Ishte i rremë

Story i radhës

U deshën 28 minuta për të ndezur një kompjuter Windows 7 me procesor 5Mhz dhe 128MB RAM

Të fundit nga