Qepur sipas masës, dokumenti kryesor i planifikimit të mbrojtjes dhe sigurisë në BE lë jashtë Ballkanin Perëndimor

March 30, 2022
min lexim

Samiti i Këshillit Europian të BE miratoi në 24 mars 2022 dokumentin e rëndësishëm “Kompasi strategjik i BE”, ku për herë të parë hartohet plani i forcimit të politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes të BE deri në vitin 2030. Për herë të parë në historinë e vet BE miraton strategjinë e saj të mbrojtjes dhe të sigurisë, për të cilën shërbimi diplomatik i Komisionit Europian ka dy vjet që punon. Objektivi i“Kompasit Strategjik”, siç e përkufizoi përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Joseph Borrell, është se ”Europa duhet të mësojë të flasë me gjuhën e forcës”.

Është e qartë që miratimi i dokumentit “Kompasi Strategjik i BE” u nxit dhe u shpejtua të miratohej për shkak të agresionit rus në Ukrainë, i cili jo vetëm tronditi raportet, normat dhe rendin ndërkombëtar në Europë, por edhe i zbuloi BE-së se ajo ishte e papërgatitur për rrezikun ushtarak rus, i cili është shumë më afër nga sa është menduar në Bruksel. Deri tani BE nuk kishte menduar se me Rusinë duhet folur me gjuhën e forcës. Vendet e BE kanë një buxhet mbrojtjeje, që është katër herë më i madh se shpenzimet ushtarake të Rusisë dhe të barabartë me shpenzimet ushtarake të Kinës. Por ky parametër i lartë shpenzimesh ushtarake, për shkak të mungesës së kohezionit në BE, është larg ekuilibrimit të forcës ushtarake të BE me atë të Rusisë apo të Kinës. Është larg krijimit të një instrumenti gjeopolitik global të BE si fuqi botërore.

Një nga mësimet më të mëdha, që dalin nga agresioni i ri ushtarak rus në Ukrainë, është se Europa ka shmangur deri tani një goditje apo ndërhyrje ushtarake ruse në njërin apo tjetrin anëtar të saj falë ekzistencës dhe forcës ushtarake të NATO-s, dhe jo të BE. BE vetë nuk përbën një barrikadë frenuese për ekspansionizmin rus në Europë. Barrikada e vetme e pakapërcyeshme për Rusinë është Aleanca Atlantike.

Ky realitet i hidhur strategjik duket e nxiti BE që të ndjejë më shumë dhe të plotësojë më shpejt nevojën e hartimit dhe të miratimit të një strategjie afatgjatë mbrojtjeje dhe sigurie, që synon të ndërtojë dhe të funksionojë potencialin mbrojtës të vetë BE, si një strukturë ushtarake vetëplotësuese për frenimin e ambicieve imperiale të Kremlinit në Europë. Ministri i jashtëm i Letonisë, shtet anëtar i BE dhe i NATO-s, Edgars Rinkeviçs, në 21 mars theksoi se “BE miratoi “Kompasin strategjik”, që i jep kompletin e instrumenteve të nevojshëm BE-së të bëhet lojtar real gjeopolitik i mbrojtjes dhe i sigurisë”. Një nga hapat e para të miratuara në këtë kuadër është krijimi i një force të ndërhyrjes së shpejtë të BE me një efektiv prej 5 mijë ushtarësh, si një forcë veprimi të menjëhershëm nga BE për ta përdorur në situata emergjente të rrezikut të jashtëm për territorin e saj.

Natyrisht forcimi i dispozitivit ushtarak mbrojtës të BE, ku shumica dërrmuese e shteteve janë edhe anëtarë të NATO-s, përbën një zhvillim pozitiv në situatën e një agresiviteti të paparë rus që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Interesi për “Kompasin strategjik të BE” nga Ballkani Perëndimor si rajon ku ndodhen katër shtete kandidate të BE, është padyshim i natyrshëm për këtë planifikim afatgjatë dhjetëvjeçar të BE në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. “Kompasi strategjik”i miratuar në 24 mars e përmend shkarazi Ballkanin Perëndimor në hapësirën e rreth 50 faqeve të tij. Në këtë relacion, pra në drejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në strategjinë e mbrojtjes dhe të sigurisë së BE në një planifikim deri në vitin 2030, konstatohet se ka një anashkalim prioriteti, gjë që e bën Ballkanin Perëndimor të munguar të strategjisë së mbrojtjes dhe të sigurisë  të BE, konkretisht të“Kompasit strategjik të BE”.

Presupozohej se në konjukturat e reja të rrezikshme europiane dhe ndërkombëtare të krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, Ballkani Perëndimor pritej të merrte një prioritet dhe peshë në dokumentin themelor të sigurisë dhe të mbrojtjes të hartuar nga strategjistët e BE. Aq më tepër që shumica e qarqeve diplomatike dhe ushtarake  europiane dhe atlantike parashikojnë që epiqendra e përplasjes gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit pritet të kalojë në Ballkan pas Ukrainës. Dhe kur thuhet në Ballkan kihet parasysh Ballkani Perëndimor, ku Rusia ka dy gropat e saj të zeza në favor të strategjisë së saj të ndërhyrjes dhe të destabilizimit, që janë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

“Kompasi strategjik i BE” i jep Ballkanit Perëndimor sinjalin e hidhur se deri në vitin 2030 BE nuk parashikon të pranojë anëtarësime të reja në radhët e veta nga ky rajon. Kjo do të thotë që në mënyrë të habitshme agresioni rus në Ukrainë nuk i ka ngrohur llambat krerëve të BE as në planin e sigurisë dhe të mbrojtjes për të shpejtuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2030. Nuk mund të mos bëjë përshtypje fakti që“Kompasi strategjik”, që është dokumenti kryesor i planifikimit të politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë së BE, lë jashtë konsideratës strategjike Ballkanin Perëndimor, që është rajon i BE, dhe ku ndodhen katër shtete kandidate të BE. Vështirë të kuptohet se si dhe përse një politikë e mbrojtjes dhe e sigurisë deri në vitin 2030, pra një planifikim afatgjatë i arkitekturës europiane të sigurisë, vendos të lerë jashtë rekrutimit strategjik dhe përfshirës Ballkanin Perëndimor. Sepse çdo depërtim dhe destabilizim i Ballkanit Perëndimor nga Rusia ka efekte direkte në sigurinë dhe në mbrojtjen e BE.

Në vend të rekrutimit strategjik dhe ushtarak të Ballkanit Perëndimor në planifkimin afatgjatë të BE në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, “Kompasi strategjik”i ofron Ballkanit Perëndimor “partneritetin e qepur sipas masës”.Në dokument thuhet tekstualisht se me qëllim që të përballojë kërcënimet dhe sfidat, “BE do të zhvillojë partneritetin e qepur sipas masës në Ballkanin Perëndimor, në fqinjësinë tonë  lindore dhe jugore, në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, përfshirë forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit”. Është një term apo koncept tepri paqartë dhe flu në dokumentin strategjik të miratuar në 24 mars nga samiti i BE. Institucioni i njohur “Këshilli Europian i Politikës së Jashtëme” në analizën e tij për “Kompasin strategjik” theksonte se “lidhur me partneritetin deklarimit nga “Kompasi”i qëllimeve strategjike globale të tij i mungojnë detajet se si do të plotësohet aporealizohet ky partneritet”. Edhe “Qendra për reformën europiane” theksonte në 25 mars në analizën për “Kompasin strategjik” se “pjesa e partneritetit është më pak konkrete dhe ka pak detaje se si do të angazhohen ato””.

Pra Ballkanit Perëndimor vetëm i ofrohet një “partneritet  i qepur sipas masës”, që në gjuhën diplomatike do të thotë që rajoni duhet të shtyjë shpresat për të qenë pjesë e BE pas vitit 2030. Madje skepticizmin e shton fakti që Ballkani Perëndimor futet në të njëjtin grup me shtetet e Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Latine, që as duan dhe as nuk do të hyjnë kurrë në BE. Në këtë mënyrë dokumenti “Kompasi strategjik” konkretizon qëndrimin themelor francez ndaj Ballkanit Perëndimor, i cili njësohet me mospranimin e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, por me krijimin e një “partneriteti të veçantë” të BE me këtë rajon, që tani “Kompasi strategjik” e përkufizon si “partneritet i qepur sipas masës”. Ky partneriteti ri i paqartë dhe obstruksionist, që ofron“Kompasi strategjik” lë anash dhe nuk merr në konsideratë parametrat dhe kriteret e nevojës strategjike, ushtarake, gjeopolitike dhe gjeostrategjike të mbrojtjes dhe të sigurisë së BE për Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare të BE mund të mos jenë të gjitha të një mendimi lidhur me faktin nëse Ballkani Perëndimor i ka përmbushur kriteret apo kushtet e reformave demokratike, ligjore, ekonomike, etj. për t’u anëtarësuar në BE. Por në planifikimet e politikave dhe të strategjisë së mbrojtjes dhe të sigurisë së BE këto kritere juridike dhe ekonomike vijnë të dytat pas parametrave të rëndësisë ushtarake, strategjike dhe madje logjistike të rajonit. Duket as agresioni ushtarak rus i tanishëm në Ukrainë dhe as rrethana e re e rreziqeve ruse për vendet e BE nuk e ka thyer mendimin dhe konceptimin vetëmbyllës të burokratëve të BE dhe nuk i ka bindur ende udhëheqësit kryesorë të BE se Ukraina duhet të nxisë procesin e shpejtuar të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. “Kompasi strategjik i BE”nuk e ka apdejtuar strategjinë e tij në Ballkanin Perëndimor në përshtatje me rreziqet e pritshme ruse në Ballkan. Nga ana tjetër lind pyetja jetike se si BE aspiron të bëhet forcë globale dhe qendër botërore gjeopolitike, kur vazhdon të jetë e ngurosur në frikën e zgjerimit të saj në oborrin e vet, në Ballkanin Perëndimor.

Element tjetër i anashkalimit të Ballkanit Perëndimor nga “Kompasi strategjik i BE” është fakti që “partneriteti i qepur sipas masës” i ofrohet Ballkanit Perëndimor së bashku dhe njësoj siç u ofrohet shteteve të fqinjësisë lindore dhe jugore të BE, në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Vetë fakti i njëtrajtshmërisë së konsideratës strategjike të Ballkanit Perëndimor me shtetet e Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Latine, tregon se ka diçka që nuk shkon me “Kompasin strategjik të BE” përsa i përket Ballkanit Perëndimor. Hartuesit dhe miratuesit e “Kompasit strategjik” duhet ta dinë fare mirë që në planin strategjik të mbrojtjes dhe të sigurisë, në daç afatshkurtër dhe në daç afatgjatë, asnjë nga shtetet e tre “A-ve”, të cilave u ofrohet gjithashtu “partneritet i qepur sipas masës”, nuk mund të kenë të njëjtën rëndësi dhe impakt për mbrojtjen dhe sigurinë e BE-së si Ballkani Perëndimor. Hartuesit dhe miratuesit e “Kompasit strategjik” e dinë gjithashtu se tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s për të cilët NATO, ku bëjnë pjese edhe shtetet më të mëdha të BE, ka detyrimin të hyjë në luftë për to, në rast se Rusia ndërmerr ndonjë aventurë ushtarake kundër tyre. Nuk mund të mos shkaktojë ngritje supesh fakti që “Kompasi strategjik i BE”e lë jashtë fokusit të tij këtë element të rëndësishëm ushtarak dhe strategjik të Ballkanit Perëndimor .

Ndërsa në planifikimin afatgjatë “Kompasi strategjik i BE” lë mënjanë rëndësinë dhe implikimet gjeopolitike dhe strategjike të Ballkanit Perëndimor për mbrojtjen dhe sigurinë europiane dhe atlantike, ky dokument kryesor strategjik i lejon vetes të ngatërrohet me intrigat lokale dhe me sherret brenda ballkanike. Merret me çështje të  momentit ballkanik, që nuk mund tëfuten në konsideratat strategjike të BE për rajonin. Duket e papërshtatshme që “Kompasi strategjik”,në vend që të identifikojë rrezikun e madh të nxitjes nga Rusia të luftës ndëretnike, që vjen nga separatizmi serb në Bosnjë-Hercegovinë dhe me pasoja për Europën, i kushton vëmendje dhe rëndësi theksimit të elementeve ndarës të shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Nuk është aspak e qartë pse “Kompasi strategjik”merret me “të drejtat dhe barazinë e popujve konstituentë të Bosnje- Hercegovinës”, sikur koncepti i “popujve konstituentë”  atje ka lidhje me strategjinë afatgjatë të mbrojtjes dhe të sigurisë së BE. Nëse shteti i Bosnje-Hercegovinës nuk është ende një shtet funksional, kjo ka ardhur sepse koncepti i “popullit konstituent” ka shërbyer si bazë e politikës dhe ambicieve separatiste të “serpska republikës”. Në planin strategjik afatgjatë BE-së dhe NATO-s i duhet shteti unik i Bosnje-Hercegovinës dhe jo shqetësimi për “popujt konstituentë”. Ndaj Holanda me të drejtë e kundërshtoi përfshirjen në “Kompas” të konceptit të popujve konstituentë, sepse është “një koncept diskriminues”.E kundërshtuan gjithashu këtë koncept edhe Gjermania dhe Suedia.

Ngatërrimin e pafrutshëm të “Kompasit strategjik të BE” me çështjet korrente lokale ballkanike dhe me lëmshet ballkanike e tregon edhe përfshirja në dokumentin strategjik të vitit 2030 të akuzave kundër Turqisë për tensionet në Mesdhen Lindor dhe për“provokacione dhe veprime të një anshme kundër shteteve të BE dhe shkeljeve sovrane në mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar”. Dokumenti strategjik i planifikimit të politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes së BE ulet në nivelin e një deklarate politike të ditës. Nuk krijon bindje se i shërben sigurisë strategjike afatgjatë të BE acarimi i marrëdhënieve me Turqinë, një nga shtetet më të rëndësishëm të NATO-s dhe të sigurisë atlantike në pellgun e Mesdheut, në Ballkan, në Azinë Qendrore dhe Kaukaz, në Lindjen e Mesme, etj. Kjo rëndësi u evidentua edhe më tepër me rastin e agresionit rus në Ukrainë. Në 22 mars Ministria e Jashtme e Turqisë në një komunikatë të saj i hodhi poshtë akuzat e “Kompasit strategjik” dhe paralajmëroi se“Ky dokument e bën BE-në pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes në Mesdheun Lindor”. Në vështrimin strategjik duket një miopi që emocionet politike të momentit të Greqisë dhe të Qipros të zenë vend në një dokument strategjik afatgjatë të BE. Disa vëzhgues diplomatikë e shpjegojnë këtë rrëshqitje të “Kompasit strategjik” në deklaratat politike ditore të Greqisë si një shpërblim francez për Athinën për shkak të blerjeve astronomike të armatimeve franceze nga Greqia, të cilat deri tani vlerësohen në 10 miliard dollarë.

“Kompasi strategjik”, i miratuar nga samiti i BE  për planifikimin afatgjatë të politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë, i jep Ballkanit Perëndimor statusin e një të munguari të madh në doktrinën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të diplomacisë së BE. Është një tregues për të ardhur keq i vetëmbylljes së BE ndaj një rajoni të rëndësishëm strategjik europian si Ballkani Perëndimor. NATO e ka kuptuar më herët dhe më me largpamësi rëndësinë strategjike dhe gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e arkitekturës atlantike të sigurisë. BE mbetet ende e ngurtë edhe e paqartë se si do ta bëjë të efektshëm “kompasin” e saj për arkitekturën e  sigurisë të BE pa Ballkanin Perëndimor. Është një difekt vizioni, që e bën me difekt edhe vetë“Kompasin strategjik të BE”./DITA/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mashtrimi rus/ Nuk ka tërheqje të trupave ruse rreth Kievit dhe Chernihiv

Story i radhës

Këto vende nesër do të mbesin pa energji elektrike

Të fundit nga

ShkoLartë