Pushtimi islamik i KosovësIlir Levonja

min lexim

Kosova e çliruar nuk po di më se çfarë të bëj me lirinë. U ktheva andej me mendjen europiane, ndërsa tani shoh një debat tejet lindor. Një fetar i lartë kërkon publikisht uljen e moshës së mbajtjes së shamisë në kokë, sipas fesë islame etj. Pra nga 16 në 11 vjeçe, për femrat. Biles flet për të drejtat e njëriut dhe për gjoja një premtim publik a politik nga qeveria aktuale. Që vendet tona i ka kapluar injoranca fetare kjo nuk ka asnjë dyshim. Sot gjen shqiptarë që shkojnë e vriten në luftën civile të Sirisë.

Madje Tirana i publikon si raste heroizmash qeveritare riatdhesimet bajate nga lufta e ashtuqujtur e shenjtë. Nëse vriten sirianët mes veti për hatër të Bashar al Asadit apo frontit të Nasras, kurdëve arabë etj., është punë e tyre, brenda llojit, llojeve për pushtet, nuk është luftë e shenjtë.

Megjithatë shumë pyesin se çfarë duan shqiptarët në Siri? E para, eshtë dështimi total i shtetit në demokraci. U ndanë pa fund fonde nga bota islame dhe shtetarët tanë që nuk u hante fare meraku se çfarë përfundimi teologjik fetar do kishin këto investime në raport me çështjen kombëtare? E dyta, kurrë nuk u ndoq më e mira me pararendësit, qofshin këta katolikë a myslimanë, për më tepër që bota jonë ka kaq shumë martirë nga diktatura e proleteriatit. Përkundrazi ata u harruan dhe sot flasin për besim fetar, për rite, a religjone, më të paarsimuarit. Nuk flasin fetarët shqiptarë, trashëgimtarët e tyre. Por ata nga fushat e rerës së Arabisë. Vetëm kolegjit françeskan të Shkodërës po t’i referohesh, është bastarduar e masakruar një akademi e tërë dhe puro shqiptare. E njëta gjë  edhe me fenë myslimane. Sot kur dëgjon një hajvan që hiqet i ditur dhe flet për të drejtat fetare, me të drejtat e njeriut. Kur ngatërron Kushtetutën e vendit me shaminë e kokës në shkollë…, me gjoja bazë sheriatit, madje kur dëgjon dhe një kryeministër si Albin Kurti, kaq evaziv, broçkullaxhi në lidhje me moshën e sanksionuar 16. Sheriati është kod nderi i një besimi, por jo kodi civil i një vendi. Kaq… Biles në këtë e sipër hedh idenë edhe të uljes së moshës së votimit, rezultati është katastrofik. Fetari ka hallin e fesë, politikani të votës, për vendin mendojnë hafijet. Po, për çfarë të drejtash të njëriut flet o fetar kungull, për një fëmijë 11 vjeç? Eshtë kryekëput një imponim, një dhunë një sundim total. Madje mbytje me duart e tua. Aq sa të vjen të vjedhësh… Të drejtat e njeriut thotë, kur bëj si të them unë. Se kështu i bie, se, ata apo ato 11 vjeçare nuk besoj se pyeten, bash kur mendësia e tyre është bota sociale, arratia, ëndrrat, filmat, grupet muzikore etj. Rajoni shqiptar sot është më i përvëluari nga të gjitha kombësitë. Rolin e dasimit e ka luajtur e para Turqia otomane. Nëse sot jemi të ndarë në 5 shtete si komb, pikërisht kjo ka ndodhur për shkak se na kanë konsideruar si vilajete të Turqisë, jo terrritor a truall i shqiptarëve.

Por çuditërisht ne prapë andej shtyhemi edhe pse ishte Perëndimi dhe Amerika që na çliruan. Na mbrojtën nga shpërbërja. Luftuam me flamurin e Perëndimit dhe Amerikës, sot po na mbyt injoranca arabe. Pikërisht deri sot e kësaj dite, një tërësi vendesh të botës islame refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet, shqiptarët pavarsisht kësaj atyre anëve shtyhen. Kanë rreth 40% të botës së tyre në emigrim në Perëndim, Zvicër, Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Angli, Suedi, Amerikë…, dhe, 5% në botën arabe, ky 5% po i mbyt. Kanë hero kombëtar Ibrahim Rugovën, një perëndimor klasi, megjithatë shkojnë e vriten për Bashar al Asadin. Si ta shpjegosh? Janë pikërisht rezultatet e demokracisë së dështuar që përmendëm në fillim. Besojini islamit, por jo si turqit, jo si arabët, por si shqiptarë. Kaq…, ruajini shkollat laike se është tjetër gjë shkolla qytetare dhe tjetër ajo teologjike. Ruajeni vendin me Kushtetutë dhe të drejtën e shtetit ligjor, jo me sheriatin islamik. Turp ta çosh nëpër mend. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dueli mes Kukësit dhe Tiranës do të ngrejë siparin e sezonit të ri

Story i radhës

BDI: Marrëveshja Paqësore e Ohrit, akti vendimtar për realitetin progresiv të vendit

Të fundit nga