Punimet për tunelin e Llogorasë që lidh Dukatin me Palasën në një gjatësi prej 6 km vijojnë me ritme të shpejta.
“Jemi në anën jugore ku po punohet ose në anën e Dukatit tuneli është hapur rreth 2 mijë metra ose 2 km linear. Ndërsa në anën e Palasës tuneli është hapur 1800 metra, pra në total 3800 metra linearë. Afati i kontratës është 33 muaj, por objektivi ynë është që ta mbarojmë përpara këtij afati”, thotë Ardino Halimi, inxhinier i punimeve.
Punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë nisën në nëntor të vitit 2021.
Sipas inxhinierit të punimeve, punimet po ecin me ritme të kënaqshme, ndërsa ky investim pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun gjatë ditëve të verës si dhe të krijoj më shumë aksesueshmëri për të gjithë ata që zgjedhin të pushojnë më bregdetin e jugut.
Inxhinieri i punimeve tregon vështirësitë e hasura gjatë punimeve, por edhe lehtësirat që do të sjellë ky investim.
“Në pjesën Jugore ose në anën e Palasës ku po punohet te tuneli kryesor kemi hasur në një shpellë karstike e cila është konsiderueshëm e madhe dhe për momentin është stabilizuar. Gjithashtu, në të njëjtën kohë ekipi i inxhinierëve dhe i supervizorëve po punojnë për zgjidhjen përfundimtare të saj. Ky tunel lehtëson aksesin me bregdetin dhe normalisht do të ulë ndjeshëm trafikun në qafën e Llogorasë”, shprehet inxhinieri.
Sipas banorëve të zonës, ky investim është një vepër që ju përket të gjithëve.
“Jam banor i zonës, i kam ndjekur punimet dhe është një vepër që i përket të gjithëve. Mendohet që baza e zhvillimit është turizmi, për turizmin do më shërbejë edhe mua dhe të gjithëve. Shkurton rrugën shumë. Kur është për republikën është edhe për Dukatin, edhe për Tragjasin, edhe për Radhimën, por në radhë të parë është për turistët”, thotë një banor i Dukatit.
Sipas autoriteteve tuneli i Llogorasë është një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore që do të lehtësojë aksesin drejt bregdetit të Jugut, duke nxitur zhvillimin ekonomik të gjithës zonës.