Pse presidenti i Serbisë shpreson të kundërtën e asaj që beson Vuk Drashkoviç?!

April 25, 2022
min lexim

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë së kohës së Milosheviçit, Vuk Drashkoviç, për të disatën herë paralajmëron se Rusia po e përdor Serbinë në Ballkan për interesat e veta. Ai sërishmi dje u deklarua në një samit në Beograd rreth kësaj çështjeje jetike jo vetëm për Serbinë, por edhe për Ballkanin. Eshtë shenjë e mirë që politikanët serbë, qofshin dhe ata që patën bashkëpunuar me Milosheviçin, shkëputen nga mendësia e ish-kasapit të Ballkanit. Pavarësisht se skenën politike serbe e dominojnë dhe e sundojnë disa ministra tjerë me të njëjtën mendësi si ajo e Sllobodanit!

Megjithatë më ka tërhequr vëmendjen ky qëndrim i Drashkoviç, sepse në vetëdijen time sjellja e Serbisë në Ballkan, konfliktet dhe luftrat e shumta, viktimat e pambarim, shkatërrimet dhe masakrat serbe e kanë burimin te aleanca e ngushtë me Rusinë dhe interesat e Moskës për të qenë të pranishme në brigjet e Detit Adriatik. Po të mos ishte ky interes i Kremlinit, që diku në brigjet lindore të Adriatikut të vendoste një bazë ushtarake e prej këtu të kërcënonte Europën, Ballkani e sidomos shqiptarët nuk do t’i kishtin përjetuar tmerret e luftrave dhe konflikteve gati dy shekullore! Po të mos ishte kjo strategji dhe ky interes rus, Moska nuk do harxhonte kohë të merrej me Serbinë!

E gjithë bota e di se Shqipëria u nda në vitin 1912-1913, jo për shkak të fuqisë serbe, por për shkak të ambicies ruse për të qenë me bazë ushtarake në Adriatik. Edhe Luftërat Ballkanike të kësaj periudhe u projektuan dhe u ndërmjetësuan nga Cari i Rusisë për këtë arsye. Asokohe Rusia nuk e lejoi Beogradin që të nënshkruante një marrëveshje me Austro-Hungarinë për ndërtimin e një korridori transporti hekurudhor nga Durrësi në territorin serb. Sepse po të ndodhte kjo, atëherë Beogradi mund të dilte nga frenat e ndikimit dhe hipnozës ruse!

Ndërkaq Serbia e sotme i ngjan Serbisë së vitit 1912, por pa aleatët e atëhershëm, Greqinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi! Në vend të këtyre aleatëve Beogradi në ditët e sotme ka mundur të krijojë një lidhje tjetër special, me Shqipërinë e hera-herës edhe me Maqedoninë e Veriut. Presidenti Aleksandër Vuçiq nuk dëshiron të largohet nga ndikimi rus as në kushtet e sulmeve ushtarake të Rusisë kundër një vendi sovran, Ukrainës. Madje shkon deri atje sa t’u kërkojë vendeve të NATO-s dhe SHBA-ve që të “pendohen” për atë që ai e quan “shkelje të sovranitetit të Serbisë” me bombardimet e marsit 1999 për çlirimin e Kosovës!

Refuzimi për të vendosur sanksione në pajtim me Brukselin, telefonatat me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, takimet me ambasadorin rus në Beograd, kujdesi për të ruajtur prezencën ruse në Serbi, deri në atë ushtarake e në shërbimin sekret, janë shenja se presidenti serb nuk heq dorë nga politikat e vjetra të bashkëpunimit dhe aleancave strategjike me Kremlinin. Pikërisht kjo sjellje nuk është premtuese për paqen dhe sigurinë e rajonit tonë. Historia na dëshmon se stabiliteti dhe paqja në këtë rajon ruhen atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit orientohen në të njëjtën linjë të aleancave dhe strategjive, kur ato aplikojnë qeverisje demokratike dhe nuk kanë ambicje për të dominuar njëri-tjetrin.

Është e pamundur që të mbash ekuilibër paqeje në Ballkan, nëse dikush në këtë rajon e njëson politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes drejt Rusisë. Agresioni i Kremlinit dhe ushtrisë ruse kundër një vendi sovran e demokratik, si Ukraina, do të ishte rast ideal që Serbia të gjente një arësye për t’u shkëputur nga ndikimi rus. Por duket qartë se ky vend ballkanik nuk ka ndërmend të reagojë kundër Rusisë, sepse ndjehet mirë nën ombrellën e saj. Kjo do të thotë se përçarja dhe konfliktet në Ballkan do të jenë prezente në një kohë të pacaktuar, se rreziku i destabilizimit dhe pasigurisë është në çdo rast i pranishëm.

Para ditës së rizgjedhjes në detyrën e presidentit kishte nga ata që prisnin se Aleksandër Vuçiq pas kësaj date do të ndryshonte kursin e politikës serbe drejt orientimit europian ose edhe euro-atlantik. Më së shumti këtë pritshmëri e pati kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por Rama nuk do të shkëputet nga aleanca e Open Balkan, edhe sikur Vuçiq t’ia japë kurorën e presidentit të Serbisë zotit Putin! Është një lidhje përtej politikës kjo! Pavarësisht kësaj, Vuçiq me rishpalosjen e aleancës së tij me Moskën i ka vënë në vështirësi miqtë e tij në Europë dhe SHBA! Se këta të rajonit tonë, me të cilët bashkëpunon, ai i ka në thes dhe luan me ta si t’ia dojë trapi!

Pavarësisht kësaj, Vuk Drashkoviç na jep edhe një sinjal tjetër! Ai beson se Rusia në Ukrainë do të dështojë e për pasojë përpiqet të ulë koston e pasojave për vendin e tij në një rast të tillë. Ndërkohë Aleksandër Vuciq duket se beson të kundërtën. Se ushtria e Vladimir Putin do ta pushtojë Ukrainën Lindore e Jugore dhe do të vijë deri në Moldavi. E në këtë rast presidenti i Serbisë sheh një mundësi të madhe për të realizuar projektet serbe të ndarjes së Kosovës e të Bosnjë-Hercegovinës, duke harruar se Ballkani Perendimor nuk është as Ukrainë, as Moldavi!

Megjithatë Vuçiq është në pritje të zhvillimeve në frontin ukrainas të luftës. Uron dhe shpreson që Rusia ta fitojë këtë luftë dhe më pas të kërcënojë me fuqinë e aleancën ruse rajonin tonë. Mendje, mendje është kjo dynja: Drashkoviç beson të kundërtën e asaj që beson Vu☼iq!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Profesori i studimeve strategjike: Rusia po tregon shenja marrëzie ose dëshpërimi

Story i radhës

Mashtroi pronaren e hoteli në Tiranë dhe i zhvati 135 mijë euro, Prokuroria kërkon burg për 30-vjeçarin nga Kosova

Të fundit nga

Tesla dëshiron të dyfishojë prodhimin në Gjermani

Nga fabrika e prodhuesit amerikan të veturave elektrike Tesla në Grünheide të Gjermanisë, jo shumë larg Berlinit, thanë se janë optimistë për të ardhmen pavarësisht rënies së tregut gjerman. Drejtori i fabrikës
ShkoLartë