Humbja ruse në Kherson dhe braktisja e qytetit ka befasuar plotësisht publikun rus dhe ka shkaktuar shqetësimet e para tektonike të dukshme në vetë Kremlin.
Pjesa nacionaliste luftarake e shoqërisë është në këmbë. Një pjesë e publikut ra në depresion, shkruan një nga propaganduesit kryesorë të luftës, Pyotr Akopov, sikur “gjithçka ka dështuar”.
Vetë Vladimir Putin nuk është më i privuar nga kritikat e ashpra dhe të drejtpërdrejta, i cili u sulmua në njoftimin e tij në kanalin Telegram nga ideologu ultra-konservator ezoterik i regjimit profashist të djathtë, Aleksandar Dugin – babai i të ashtuquajturës “botë ruse” dhe “mësuesi shpirtëror” i Vladimir Putinit. Jo vetëm që ai sulmoi Vladimir Putinin, por, siç thotë politologu i pavarur rus Andrey Piontkovsky, postimi i Duginit madje mund të lexohet pa mëdyshje se ai po bën thirrje për likuidimin e Putinit, jo vetëm politikisht por edhe fizikisht.
Domethënë, Dugin thotë: “Ne i japim sundimtarit pushtet dhe autoritet absolut që ai të na shpëtojë të gjithëve – popullin, shtetin, qytetarët – në një moment kritik”. Kështu ai përfundon: “Por nëse nuk na shpëton dot, atëherë fati i ‘mbretit të shiut’ është i destinuar për të!” Dugin i referohet antropologut të famshëm skocez James Fraser, i cili shkruan në librin “Dega e Artë” se vendasit nga një fis i caktuar i dhanë kryetarit të tyre të gjithë fuqinë për t’i shpëtuar nga thatësira dhe për të thirrur për shi, por kur kjo nuk ndodhi, ia çanë barkun!
Analogjia këtu është mjaft e qartë dhe Piontkovski thotë gjithashtu se, sipas Duginit, Putini mori pikërisht një “besim” të tillë nga anëtarët e fisit – për të fituar luftën. Por, siç qëndrojnë gjërat, ai mund të mos jetë në gjendje ta arrijë këtë, kështu që fati i “mbretit të shiut” e pret atë, tha Piontkovski për televizionin Unian.
Dugin ofron një zgjidhje dhe shpëtim nga disfata e mundshme – “burimi ynë i fundit është ideologjia“. “Vetëm ideja ruse mund të na shpëtojë. Vetëm kaq,” shkruan Dugin dhe vazhdon se “mjetet teknike nuk janë më të mjaftueshme për të fituar luftën”. Sipas këtij ideologu kryesor të nacionalizmit të madh shtetëror rus, “ideologjia ruse ka përgjegjësinë për të mbrojtur qytetet ruse si Kherson, Donetsk dhe Simferopol”.
Dugin thotë se një disfatë ruse në luftë mund të çojë në “Armagedon bërthamor”. “Nuk është tradhti, është një hap drejt Armagedonit. Kushtet që do të na vendoste Perëndimi fitimtar, ai Satanai i qytetërimit, nuk janë aspak të pranueshme për Moskën. Pra, ajo që mbetet është armë bërthamore taktike ose armë bërthamore strategjike. Ky është fundi!”, thotë ideologu i zhgënjyer i Putinit, Dugin, duke përfunduar arsyetimin e tij në mënyrë apokaliptike.
Është interesante se Dugin, megjithë sulmin “indirekt” ndaj Putinit, i heq të gjitha përgjegjësitë për tërheqjen nga Khersoni nga gjenerali Sergey Surovikin, komandanti i forcave ruse në Ukrainë, sepse, siç thotë ai, “ai është përgjegjës vetëm për anën teknike të fushëbetejës dhe nuk është përgjegjës për vendimet politike”.Konkretisht, Dugin beson se largimi nga Kherson është një vendim politik, jo ushtarak.
Dhe analistët e Institutit për Studimin e Luftës (ISW) besojnë se për shkak të situatës gjithnjë e më të vështirë në fushën e betejës, dhe veçanërisht pas tërheqjes nga Khersoni, i vetmi qytet i madh që rusët arritën të pushtonin në pothuajse nëntë muaj lufte, për Putinin, është gjithnjë e më e vështirë për të qetësuar publikun që mbështet aventurën e tij të luftës.
Domethënë, ata presin prej tij atë që ai premtoi – kthimin e Ukrainës në përqafimin rus dhe në qeverinë pro Kremlinit në Kiev. Dhe disa propagandistë të tjerë pro-luftës, si Vladimir Solovyov, ziejnë nga zemërimi për braktisjen e Khersonit. Solovyov tani është në favor të mobilizimit të përgjithshëm dhe, siç thotë ai: “Udhëheqja ushtarake duhet të angazhohet plotësisht për qëllimet e dhëna në Ukrainë”.
Në analizën e ISW thuhet se reagimi i Duginit nuk është befasues, por është shprehje e zhgënjimit që ka kapluar shoqërinë ruse. “Kritika e drejtpërdrejtë ndaj Putinit në mesin e popullatës luftënxitëse është e paprecedentë dhe sulmi i tillë i Dugin ndaj Putinit dëshmon për ndryshime në qëndrim midis ideologëve nacionalistë”, thotë ISW. /tesheshi.com/
Burimi: GAZETA.MK