Prurjet e reja rritin optimizmin te Vllaznia

min lexim

Vllaznia nisi aventurën europiane mbrëmjen e të enjtes në një “Loro Boriçi” të ngjyrosur tërësisht kuqeblu, falë atmosferës së jashtëzakonshme të krijuar nga tifozeria e zjarrtë shkodrane, që konfirmoi edhe një herë se është vlerë e shtuar edhe për skuadrën në fushë.

Rezultati 1-1 nuk ishte padyshim më i miri, megjithatë mund të quhet pozitiv kur merret parasysh forca e kundërshtarit dhe fakti që ata kaluan të parët në avantazh, ndaj të besuarit e Josës do të luajnë shanset për kualifikim javën e ardhshme në Kraiovë.

Megjithatë, do të kualifikohet apo jo, Vllaznia të enjten në mbrëmje dha disa shenja pozitive dhe ato më të rëndësishmet lidhen padyshim me të afruarit nga merkatoja e verës.

Largimi i dy titullarëve të padiskutueshëm si Adili e Krymi kishte krijuar shqetësim, por Juriç dhe Boshnjaku treguan se kanë cilësitë dhe autoritetin e duhur për t’i zëvendësuar.

Mbrojtësi kroat, në sytë e Adilit që ishte spektator në “Loro Boriçi”, bëri një ndeshje mjaft të mirë, duke treguar siguri si në lojën në ajër, ashtu edhe qarkullimin e topit, ndonëse u bë protagonist i penalltisë së rumunëve, që më shumë u dhurua nga arbitri irlandez.

Nga ana tjetër Lorik Boshnjaku ishte padyshim më i miri në fushë në kampin kuqeblu, duke rikuperuar topa pa fund dhe dukej sikur kishte një jetë që luante në “Loro Boriçi”, aty ku tifozët thirrën jo pak herë emrin e tij në kor.

Notë mjaft pozitive e mbrëmjes ishin padyshim edhe dy të rikthyerit në Shkodër, Herald Marku dhe Kaina Nunes. I pari zbriti në fushë në pjesën e dytë dhe asistoi në golin e barazimit të shkodranëve, por jo vetëm, pasi shfaqi edhe shumë gjëra pozitive.

Sa i përket sulmuesit brazilian, pas eksperiencës 6-mujore në Krujë, duket se është rikthyer shumë më i pjekur dhe është gati të bëjë liderin e repartit të avancuar për sezonin e ri. Në 40 minutat e qëndrimit në fushë, Kaina u bë një pikë referimi për kuqeblutë dhe vuri jo pak në vështirësi mbrojtjen rumune me forcën fizike dhe aftësitë teknike.

Tani të gjithë në Shkodër janë pritje të rikuperimit të plotë të Latifit dhe përshtatjes së Kristjan Vulajt, dy futbollistë mjaft teknikë, që do ta bëjnë edhe më të bukur Vllazninë e sezonit të ardhshëm.

Me apo pa kualifikim, Vllaznia duket se është përforcuar krahasuar me sezonin e kaluar dhe është gati të nisë një tjetër vit me pretendime të mëdha, ndonëse merkatoja është ende e hapur dhe nuk përjashtohet ndonjë dhuratë tjetër për trajnerin. Në fund të fundit, dhuratat i pranon edhe mbreti, jo më Mirel Josa.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Johnson vesh uniformën, iu bashkëngjitet trupave ukrainase në trajnime

Story i radhës

Ylli Ibrahimi lëvizte me makinën e blinduar të Vis Martinajt, si u vra Klisman Preçi në Milot

Të fundit nga