Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, përsëriti qëndrimin se Kodi Zgjedhor mund të ndryshohet vetëm me konsensus politik, ashtu siç është miratuar edhe kodi aktual dhe modeli me gjashtë njësi zgjedhore, në vitin 2002. Sipas tij, çdo përpjekje tjetër është kushtëzim dhe presion. Në takimin me gazetarë, sqaroi se pas Komisionit për Sistem Politik, propozim ligji duhet të marrë edhe pëlqimin e plenumit dhe propozim-ndryshimet të jenë në këqyrje publike 30 ditë. Nëse diskutimi publik nuk miratohet nisma nuk mund të përsëritet brenda tre muajsh.
Sipas tij problemi nuk qëndron te Kodi Zgjedhor. Në një intervistë për TVM ftoi partitë e vogla që të masin përkrahjen në elektorat, të vetme dhe jo në koalicione parazgjedhore siç po ndodh rëndom.
“Zgjidhjet optimal duhet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjate. S’është problemi te sistemi zgjedhor. Pse partitë politike nuk dalin të vetme?! Dhe, secili le të matet se çfarë përkrahje ka. Problemi nuk qëndron te gjashtë njësitë zgjedhore. Problemi qëndron te përkrahja.”, kryetar i Kuvendit Talat Xhaferi.
Ndryshimi i modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore ishte një nga kërkesat dhe kushti i disa partive më të vogla maqedonase për t’u bë pjesë e Qeverisë Kovaçevski. Propozimin e parashtruar nga deputetë të Lidhjes Demokratike, Partisë për Ripërtëritje Demokratike dhe Partisë Liberal-Demokratike e ka përkrah edhe partia opozitare “E majta”.
Partitë e vogla vlerësojnë se modeli aktual favorizon partitë e mëdha në dëm të partive të vogla, dhe për të mos humbur votat në njësitë ku nuk mund të nxjerrin deputetë detyron të bëjnë koalicione parazgjedhore.